Athinë, 5 korrik, NOA - Rreth 21.000 shtetas shqiptarë me kombësi greke të cilët marrin pension nga Greqia, do t’i nënshtrohen një kontrolli nga ana e autoriteteve greke.
Lajmi bëhet me dije nga agjencia “Athens News Agency”, sipas të cilës, do të jetë përkatësisht Enti i sigurimeve Agrare (OGA) në Greqi, i cili do të kalojë "në sitë" këtë kategori shqiptarësh që përfitojnë pagesë pensioni nga Greqia.
Sipas saj, ky kontrolli po bëhet ngaqë kohët e fundit është konstatuar se pension përfitokan edhe persona të cilët nuk e kanë këtë të drejtë.
Ka qenë vetë ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Jorgos Kutrumanis, i cili ka deklaruar se "kohët e fundit është konstatuar se në Amzën e pensionistëve homogjenë të OGA, përfshihen edhe persona që nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit".
Në këtë kuadër, do të ndërmerret një aksion i posaçëm verifikimi nga organet kompetente greke mbi të gjithë pensionistët, si edhe personat që pretendojnë të kenë origjinë greke dhe jetojnë në Shqipëri,, nëse vërtet e kanë një të tillë.
Enti i Sigurimeve Agrare, ofron pension deri në masën prej 360 eurosh për personat e kombësisë greke, por para disda kohësh u hap lajmi, se të ndikuara nga kriza, financat greke do të nisnin të tregoheshin më të shtrënguara ndaj dhënies së tyre.
Sipas të dhënave, janë mëse 21.000 persona në Shqipëri që përfitojnë pension nga autoritetet greke dhe kjo natyrisht, që parashikon një fond të caktuar për to.
Duke iu referuar ANA-s, deputetë grekë kanë ngritur shqetësimin, se nga shumë shqiptarë mund të ketë deklarime të rreme se janë me origjinë greke, me qëllim që të përfitojnë pension nga OGA.
n.e/NOA