English

KLD dorëzon raportin: Konstatuam shkelje të rënda penale në gjykata

Tiranë, 5 korrik 2011, NOA – Pas inspektimit në 5 gjykata të rretheve për gjykimin e çështjeve të rënda penale, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar shkelje të rënda, të cilat i ka bërë publike në një raport të dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, i cili ka inspektuar vetë në terren punën e këtyre gjykatave, deklaron se “Në radhë ta parë janë vet gjyqtarët, të cilët duhet të zbatojnë të gjitha kompentencat që u jep legjislacioni penal për të përfunduar gjykimin në kohë sa më të shkurtër, si edhe për të ndëshkuar veprimet e paligjshme të çdo pale në proçes, me qëllim zvarritjen e gjykimit”.

Raporti i dalë pas inspektimit të 166 çështjeve penale konstaton shkelje të rënda si: “moszhvillimin e gjykimeve të pandërprera, shtyrjen e gjykimit më shumë se afati 15 ditor i përcaktuar nga ligji, dorëzimin e vendimit të arsyetuar përtej afateve proceduriale, mosraportim tek organet përkatëse për Prokurorët ose Avokatët që shtyjnë pa shkak ose me qëllim seancat gjyqësore”.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi inspektimet në këto gjykata rrethesh pas shqetësimeve publike të qytetarëve si dhe problematikave të hasura gjatë punës së përditshme.

Në këtë inspektim posaçërisht të veprave të rënda penale e me impakt dhe ndjeshmëri më të lartë për publikun, KLD ka përfshirë disa gjykata të rretheve gjyqësore si Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale veçanërisht të rënda, siç janë vrasjet, trafikimet, shpërdorimet e detyrës etj., të parashikuara nga nenet 78, 79, 114/a, 283/a, 248, 259 dhe 260 të Kodit Penal.

Në përfundim të këtij inspektimi KLD rekomandon një tërësi ndryshimesh për Kodin e Proçedurës Penale, të lidhura me administrimin e proçesit gjyqësor penal, të cilat i janë përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për veprime të mëtejshme.

Ndër ndryshimet e rekomanduara në Kodin e Procedurës Penale renditen:

1-rritja e kompetencave të gjykatës për marrje masash ndaj avokatëve;

2-uljen e kuorumit të gjyqtarëve, si për disa lloje të veprave penale, ashtu edhe për Gjykatën e Krimeve të Rënda;

3-përcaktimin e një quorumi për vendimet unifikuese;

4-kufizimin e të drejtës së Gjykatës së Apelit për të dërguar çështjen për rigjykim;

5-përcaktimin e së drejtës së gjykatës për të pushuar disa çështje penale etj.

Nënkryetari i KLD-së Spahiu bën me dije se të gjitha përfundimet e raportit i kanë kaluar për shqyrtim Këshillit të Lartë të Drejtësisë në seancë plenare.

Ndërkohë që raporti i inspektimit u vendos t’i kalojë për veprime të mëtejshme, Ministrit të Drejtësisë, si autoriteti i vetëm kompetent, për të ndërmarrë apo për të iniciuar, një proçedim disiplinor kundër gjyqtarit.

mit/NOA

KOMENTE