Tiranë, 5 korrik 2011, NOA – Komisioni Parlamentar i Ligjeve sapo ka miratuar amendimet e qeverisë për projektligjin për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike e fetare.
Ky projektligj u miratua në komision pak minuta më parë pas shqyrtimit të ndryshimeve të propozuara nga ministri i Inovacionit, dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Ministri Pollo theksoi në komision, ku marrin pjesë vetëm deputetët e mazhorancës, se nuk bëhet fjalë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, por për një regjistrim statistikor të të dhënave të popullsisë, një regjistrim që do të kryhet nga INSTAT.
Sipas Pollos nga regjistrim ai do të quhet “census i popullsisë”, dhe shërben për të matur gjendjen sociale dhe ekonomike të popullsisë. “Censusi do shërbejë si tregues për matjen e gjendjes sociale dhe sa janë të ardhurat në çdo familje shqiptare”, deklaroi ministri i ITIK”.
Pollo nënvizoi se në këtë projektligj me ndryshime do të ketë penalitete për ata që deklarojnë etni të rreme.
Pas miratimit në kuvend të kërkesës së qeverisë për ta miratuar me procedurë të përshpejtuar, Komisioni Parlamentar i Ligjeve shqyrtoi sot dhe miratoi ndryshimet në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”.
Ky projektligj është kundërshtuar nga Aleanca Kuq e Zi, e posaçërisht nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, si një ligj që kërkon ndryshime rrënjësore.
Pas miratimit të amendimeve pritet që projektligji i njohur për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare do të rikthehet në Kuvend për t’u miratuar nen për nen në seancën plenare të kësaj jave.
mit/NOA