Tiranë, 5 korrik 2011, NOA – Everest Imeraj është personi që i vuri flakën banesës së të vëllait të tij më të madh, Nexhat Imeraj, me të cilin jetonte në një vilë tri-katëshe pranë zonës së ish-stacionit të fundit të Tiranës së re.
Piktori Everesi Imeraj ishte prej kohësh në konflikt pronësie me të vëllain e tij, Nexhatin, dhe sot në mëngjes i ka vënë zjarrin banesës së të vëllait në katin e dytë të shtëpisë.
Policia nisi hetimet dhe ka thirrur në komisariat dy vëllezërit Imeraj për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Kanë qenë jo vetëm banorët përreth, por edhe kalimtarët, dëshmitarë të një skene konfliktuale, ku Everest Imeraj hidhte objekte të shtëpisë nga kati i dytë i ndërtesës.
Sipas të dhënave paraprake konflikti vinte për shkak se njëri nga vëllezërit Imeraj kërkonte të nxirrte jashtë shtëpisë vëllanë tjetër, e më pas me një bombol gazi dyshohet t’i ketë vënë flakën katit të dytë të banesës ku jetonte i vëllai.
Ka qenë ndërhyrja e shpejtë e makinave zjarrfikëse të Tiranës që kanë shuar zjarrin në një kohë të shpejtë duke ndalur përhapjen e tij nëpër ndërtesat aty pranë.
Nga zjarri rezulton të ketë vetëm dëme materiale.
mit/NOA