Tiranë, 5 korrik 2011 NOA - U nënshkrua sot Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë “Mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”.
Autoriteti nënshkrues për palën shqiptare ishte Z.Selim Belortaja, Zëvendësministër i Jashtëm, ndërsa për palën serbe, Ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë, Z.Miroljub Zaric.
Marrëveshja për lëvizjen e lirë është e bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë dhe synon mundësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve nga njëri shtet në tjetrin.
Marrëveshja parashikon përjashtimin nga viza për hyrjen në territorin e secilës palë për një vizitë ose qëndrim që nuk i kalon 90 ditë brenda 180 ditëve.
Ndërkohë procedura për shtetasit të cilët dëshirojnë të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë kohe në territorin e njërës palë kontraktuese, për qëllime studimi, punësimi, ribashkimi familjar, etj, do t’i nënshtrohet kërkesave të legjislacionit të brendshëm të secilit vend.
e.t/NOA