Ka mënyra të ndryshme për të parashikuar të ardhmen. Dikush nëpërmjet filxhanit të kafesë, dikush prej letrave Tarot, e dikush prej Kalendarit Maja. Në Kosovë të ardhmen kanë filluar ta parashikojnë forume e institute dhe aty-këtu ndonjë kolumnist. Flasin sikur në librat fetarë për kriza të mëdha që po na presin, për izolime dhe vetmi të pafundme
Nga Berat Buzhala
Sipas Forumit 2015, Kosova diku kah fundi i vitit 2012 dhe fillimi i vitit 2013 do të marrë fund, ekonomikisht. Pak muaj pasi të ketë marrë fund Toka, sipas besimtarëve të Kalendarit Maja.
Sipas Klubit për Politikë të Jashtme, Kosova tashmë ka marrë fund para disa muajve, por ne ende nuk jemi të vetëdishëm. Anija jonë, besojnë ata, është fundosur që ditën kur ka dalë në dritë raporti për Kosovën i Dick Martyt.
Sipas Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova dhe qytetarët e vendit janë fundosur dy herë, secilën më thellë se tjetra. Njëherë në vitin 1999, kur ne u çliruam prej Serbisë dhe herën e dytë, kur ne u bëmë shtet i pavarur.
Sipas ëndrrave të analistëve, Kosova çdo natë dhe çdo ditë po rrënohet pariparueshëm.
Pra, ka mënyra e mënyra për të parashikuar të ardhmen. Dikush dëshiron ta dijë fatin nëpërmjet filxhanit ta kafesë, dikush prej letrave Tarot, e dikush prej Kalendarit Maja. Kurse në Kosovë të ardhmen kanë filluar ta parashikojnë forume e institute dhe tek tuk ndonjë kolumnist, të cilët flasin, bash sikur në librat fetarë, për kriza të mëdha që po na presin, për izolime dhe vetmi të pafundme.
A nuk ishin të kësaj natyre parashikimet e këtyre gjashtë muajve të parë të këtij viti? Thoshin se kjo qeveri nuk do të mund të bëhet, sepse po sundon pakica. Cila është pakica, e cila shumica? Edhe në u bëftë kjo qeveri, asaj nuk do t’i prijë Hashim Thaçi, sepse ai tashmë është nën hetime për shkak të pretendimeve iluzioniste të Dick Martyt. Mirëpo, edhe nëse bëhet Hashim Thaçi kryeministër, thoshin se ai nuk do të mund të rrijë në atë post më shumë se gjashtë muaj, sepse do të dështojë t’i realizojë premtimet elektorale (sidomos ato për rritje të pagave deri në 50%), pasi që pengesë do ta ketë Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në këtë mënyrë - shpresonin dhe vazhdonin të qitnin fall - Kryeministri do të rrëzohet prej pakënaqësive sociale, sepse qytetarët do të tërbohen. Dhe ky fall, edhe pse servohej për opinionin e gjerë publik (i cili nuk e pranoi dot si të vërtetë), ai më shumë shërbeu për të shëruar komplekset personale të këtyre individëve, të cilët ndjellin në vazhdimësi gjera të kobshme për Kosovën. Tipa të tillë sa herë që mbyllin sytë, shohin ëndërr se nesër kur të zgjohen në mëngjes, kryeministri aktual do të jetë rrëzuar nga pozita e tij legjitime me mjete jolegjitime. Dhe ëndrrat përsëriten, ato nuk mbarojnë kurrë…
Për më tepër, fantazitë e tyre të liga paragjykonin se edhe nëse kryeministri i rrit pagat, atëherë do të rrëzohet sepse FMN do të tërhiqet dhe krejt bota do të ngrihet në këmbë kundër tij. Sepse vendi do të shkojë drejt një kolapsi biblik financiar. Për të shpëtuar prej këtij kolapsi, thoshin vajtuesit kujdestarë, kryeministri do të detyrohet të shesë asetet publike, siç është Posta dhe Telekomi i Kosovës (duke harruar se Kosova është e fundit në Evropë, e cila është duke e përfunduar një proces të tillë, të domosdoshëm për themelet e shëndosha të ekonomisë së tregut të lirë). Në mendjet e tyre edhe këtu kishte një dritë shprese. Nën një, shpresonin se të orkestruar prej lëvizjeve të caktuara asetet publike nuk do të lejohen të shiten dhe në këtë mënyrë gjasat ishin reale, sipas tyre, që të kishte krizë. Kur kjo dështoi dhe në rrugë, me mund të madh dhe nën presion (lexojeni shkrimin e Vedat Xhymshitit, njërit prej aktivistëve më të devotshëm të VV) mezi i nxorën 2-3 mijë vetë, shpresuan që të tërhiqet prej garës për të blerë Valën, njëri prej dy konkurruesve të kualifikuar. Nëse njëri tërhiqet, thoshin ata, atëherë qeveria nuk do të guxojë që të futet në marrëveshje me vetëm një kompani ofertuese. Mirëpo, këta zëra dhe këto kritika nuk do të dorëzohen as kur në garë do të marrin pjesë dy kompani. Do të thonë se Vala është falur, sepse ka mundur të shitet më shtrenjtë. Se sa më shtrenjtë, e dinë vetëm ata, sepse e kanë parë çmimin adekuat në ëndrrat e tyre!
Këto kritika dhe këto lajme të zeza, që prodhohen tash e disa muaj me radhë, kanë filluar të marrin karakter komik. E akuzonin kryeministrin pse raportet e tij me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë aq të ngushta. Pse, me kë duhet t’i ketë të ngushta? Me atë të Rusisë? Mandej pse po takohet aq shpesh me Kryeministrin e Turqisë. Pse, me kë? Korenë e Veriut? Po e lë në imagjinatën e secilit që të mendojë se çfarë kritikash do të mund t’i japin kryeministrit pasi të kthehet nga Brukseli. Ndoshta mendja e tyre e vetmuar dhe shpirti i ngushtë mund të thonë se kryeministri nuk është dashur të takohet me shefen e diplomacisë evropiane, sepse ajo mund ta inkurajojë kryeministrin që të vazhdojë punën për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë verior. Edhe mund të zhgënjehen pse po ndodh një gjë e tillë, sepse ndoshta kanë në mendje integrime tjera dhe ndoshta në shpirtrat e tyre të vetmuar tani është zgjuar patriotizmi i vonuar. Nuk e di nëse me këtë vizitë do t’ua mbush mendjen se “dimër të vetmisë së madhe” mund të ketë vetëm në kokat e atyre që parashikojnë këso skenarësh.
Në numrin e fundit të revistës Newsweek e lexova një shkrim autorial të ish-Presidentit të SHBA’së, Bill Clinton, që i jepte këshilla administratës së Presidentit Obama se “cilat janë 14 rrugët për të ndihmuar ekonominë amerikane”. A ka mundësi që edhe tek ne të bëhet diçka e ngjashme? A ka mundësi që partitë opozitare, forumet, institutet, analistët dhe kolumnistët kohë pas kohe të japin edhe opsionet e tyre për zhvillimin e vendit? Refrenin se Kosova nuk mund të funksionojë si shtet jemi lodhur duke e dëgjuar prej fqinjit tonë verior. Ne na takon të besojmë që shteti ynë është rrëfim i suksesshëm dhe i tillë do të jetë. Mirëpo, për të ndodhur kjo nuk mjafton as angazhimi i një personi, e as i vetëm një partie politike. Lirinë e kemi fituar me mundin tonë të përbashkët dhe e kemi borxh të gjithë që tani, ashtu si dikur, të japim ndihmën tonë në forcimin e shtetit tonë. Vetëm kështu e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e ndritur dhe e sigurt, pa pasur nevojë që një gjë e tillë të “vërtetohet” nëpërmjet fallit.
* Autori është deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës