Tiranë, 5 korrik 2011, NOA Update – 35-vjeçari Everest Ymeri pas një konflikti të mëparshëm pronësie me vëllanë e tij, Nexhat Ymeri, në shenjë hakmarrjeje ka spërkatur me benzinë vilën trekatëshe në pronësi të vëllait të tij më të madh, Nexhatit, dhe i ka vënë më pas zjarrin.
Kjo është pista paraprake e ndërtuar nga policia e Tiranës për autorësinë e vënies së zjarrit në vilën trekatëshe të vëllezërve Ymeri, që gjendet pranë zonës së stacionit të Tiranës së Re në kryeqytet.
Everesti Ymeri, që dyshohet si autor i zjarrvënies së banesës, që alarmoi banorët e zonës, do të ndiqet penalisht nga policia për konsumim të veprës penale të shkatërrimit të pronës me zjarr si dhe kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë.
Më herët shuarjen e flakëve në banesën e Ymerajve e mundësoi ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse, ekspertëve xhenierë si dhe forcave RENEA.
Piktori Everest Ymeri, u arrit të kapej në flagrancë, edhe pas kundërshtimit të efektivëve të policisë.
Ndërkohë nga shuarja e zjarrit në kohë nuk ka të lënduar, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale.
Aktualisht Everest Ymeri po merret në pyetje në lidhje me këtë veprim të ndërmarrë.
mit/NOA