Prishtinë, 5 korrik 2011 NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se e ardhmja evropiane është rruga e vetme e vendit dhe se institucionet e Kosovës do mbeten të përkushtuara në proceset e integrimeve Evropiane. Pa kthimit nga Brukseli,ku është takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, kryeministri Thaçi tha se në Bruksel tashmë ka pajtueshmëri të plotë për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit.
“Agjenda evropiane për Republikën e Kosovës gjithnjë e më tepër po bëhet më e qartë, në veçanti sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian. E ardhmja e shtetit të Kosovës është e ardhme evropiane, është e sigurt dhe e vetmja rrugë. Në Bruksel tani ka konsensus të plotë për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit”, tha ai.
Kryeministri Thaçi tha se normalizimi i marrëdhënieve në rajon është parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Qeveria e Kosovës ka marr dy herë besimin në Kuvendin e Kosovës për të filluar dhe vazhduar procesin e dialogut teknik me Serbinë. Nuk është punë e një personi, partie por është agjendë evropiane, është obligim ndërkombëtar që ka filluar në mandatin e kaluar dhe tani është në proces të këtyre çështjeve që e udhëheq zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Pra, është përgjegjësi shtetërore i aprovuar nga Kuvendi, është obligim ndërkombëtar dhe është plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha kryeministri Thaci.
Javën e kaluar Kosova e Serbia arritën marrëveshjet e para për çështje praktike të interesit të ndërsjellë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. a.q/NOA