Tiranë, 5 korrik 2011, NOA- Në një dalje për mediat kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bëri thirrje Kolegjit Zgjedhor që në seancën e ditës së nesërme të japë drejtësi dhe ta konsiderojë si të pavlefshëm rezultatin e Tiranës.
Sipas kreut të selisë rozë, nesër është dita ku pritet përsëri drejtësi, ku pritet nga Kolegji Zgjedhor drejtësia e munguar.
“Presim që Kolegji Zgjedhor të mos shkelë ligjin të mos mbyll sytë e veshët përballë fakteve e shifrave përballë nja kanibalizmi elektoral, të mos heshtë duke rivrarë edhe njëherë të drejtën e popullit për të marrë peng lirinë e zgjedhësve. Presim që të pestë gjyqtarët e Kolegjit të mos tremben nga Saliu por të veprojnë në mënyrë të lirë”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se nuk duhet ligjëruar rezultati i dalë nga kanibalizmi i tavolinës së Ristanit, duke shtuar se pas zbatimit të vendimit të Kolegjit të dytë nga KQZ, janë çakodruar si mos më keq rezultatet dhe votat.
Kryesocialisti deklaroi se, shqiptarët e panë se çfarë u bë me rezultatet, duke thënë se tabela përfundimtare e rezultateve nuk është tjetër veçse prova e pakundërshtueshme e paligjshmërisë totale dhe e pavlefshmërisë që e nxori Saliun humbës.
Më tej shefi i opozitës kërkoi nga Kolegji që të respektojë Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare dhe të mos ligjërojnë rezultatin e pavlefshëm, duke mos shpikur një tjetër rezultat ekstraligjor.
“Kolegji të respektojë precedentët e vendosur nga ata vetë në disa njësi vendore, ku të pestë gjykatësit e nesërm kanë vendosur pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë dhe qytetarët e panë këtë, fitorja jonë u pa por u mohua nga Kolegji i parë, pavarësisht opinionit të qartë të misionit të ODHIR dhe mesazheve të miqve e partnerëve të Shqipërisë për ndryshimin e rregullave nga KQZ”, u shpreh Rama.
Ndër të tjera ai theksoi se për të mundësuar daljen nga kriza e zgjatur, Partia Socialiste është gati të rikthehet para popullit sovran të Tiranës për një rigjykim përmes votës, duke u thënë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që të mos kenë frikë të japin drejtësi dhe të mos keni frikë nga ata që u kanë vënë badigard për të iu bërë presion.
Në përfundim kreu si socialistëve iu drejtua në një apel anëtarëve të Kolegjit tha: “Duke mundur nesër frikën me fuqinë e drejtësisë dhe të ligjit, ju do të shkruani një faqe shprese në rrugën e drejtësisë, sepse mënyra se si do të zgjidhet çështja e zgjedhjeve është haptazi më e rëndësishme se emri i kryetarit të Bashkisë”.
a.y/NOA