English

Regjistrimi i Popullsisë, AK: Kuvendi të votojë peticionin e popullit, jo pr/ligjin e qeverisë

Tiranë, 5 korrik 2011, NOA – Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve të projektligjit të qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare ka reaguar Aleanca Kuq e Zi, e cila i bëri thirrje deputetëve të votojnë projektligjin e dorëzuar në kuvend nga Aleanca Kuq e Zi.

Aktivistët e aleancës së iniciuar nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu i bënë thirrje Kuvendit të caktojë datën e seancës dëgjimore të kësaj aleance dhe të miratojnë propozimet e tyre për ligjin për regjistrimin e popullsisë.

AK deklaroi se ligji për regjistrimin e popullsisë është një ligj për popullin shqiptar dhe jo qeverinë e si i tillë lipset të dëgjohet mendimi i popullit.

Për këtë Aleanca Kuq e Zi ripërsëriti apelin ndaj Kuvendit që të marrë në shqyrtim peticionin popullor mbi regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike e fetare.

Projektligji për regjistrimin e popullsisë me ndryshimet e propozuara kundërshtohet nga Aleanca Kuq e Zi, e posaçërisht nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, me argumentin se “ligjit i lipsen ndryshime rrënjësore”.

Më herët Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi amendimet e qeverisë për projektligjin për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike e fetare.

Ky projektligj u miratua pas shqyrtimit të ndryshimeve të propozuara nga ministri i Inovacionit, dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo.

Ministri Pollo duke mbështetur propozimet e draftit deklaroi para deputetëve të mazhorancës, se në këtë draft nuk bëhet fjalë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, por për një regjistrim statistikor të të dhënave të popullsisë, i cili do të kryhet nga INSTAT.

Sipas Pollos nga “regjistrim i popullsisë” drafti do të marrë termin e ri, “census i popullsisë”, që shërben siç tha Pollo, për të matur gjendjen sociale dhe ekonomike të popullsisë.

“Censusi do shërbejë si tregues për matjen e gjendjes sociale dhe matjen e të ardhurave në çdo familje shqiptare”, deklaroi ministri i ITIK”.

Pollo nënvizoi se në këtë projektligj me ndryshime janë parashikuar penalitete për ata që deklarojnë etni të rreme.

Pas miratimit javën e shkuar në kuvend të kërkesës së qeverisë për ta miratuar me procedurë të përshpejtuar draftin, dhe shqyrtimit e miratimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, të draft-ligjit “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave” ai pritet të rikthehet në Kuvend për t’u miratuar nen për nen në seancën plenare të së enjtes.

mit/NOA

KOMENTE