Pukë, 5 korrik 2011, NOA – Dëmtimet masive të pyjeve, aq të domosdoshëm për mjedisin dhe njeriun, kanë ngritur në një aksion të befasishëm punonjësit e Shërbimit Pyjor të Pukës.
Të hënën policia pyjore e Pukës ushtroi kontrolle në gjashtë qendra të përpunimit të lëndës drusore, ku u sekuestruan 120 metër3 lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë mësohet se janë bllokuar katër automjete me lëndë drusore në masivin pyjor të Krrabit.
Drejtuesit e policisë pyjore në Pukë kanë gjobitur me 80 mijë lekë të reja subjektet e gjetura në kundravajtje penale, ndërkohë që kanë nisur procedimet penale në prokurorinë qytetit.
Policia e Pyjeve në Pukë për të shmangur shkatërrimin e mëtejshëm të pyjeve të zonës ka vendosur postblloqe gjatë natës kur bëhet transportimi me automjete i lëndës drusore.
Pak ditë më parë Ministria e Mjedisit, Administrimit të Ujërave dhe Pyjeve procedoi penalisht një inspektor pyjor.
Sipas shërbimit pyjor të Pukës, viti 2011 është viti që ka shënuar shkatërrimin më masiv të pyjeve.
OKB e ka shpallur vitin 2011 si vitin që i kushtohet ruajtjes së pasurive pyjore të botës.
mit/NOA