E martë, 5 korrik 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme është nënshkruar marrëveshja për heqjen e vizave me Serbinë.
Kjo marrëveshje u nënshkrua mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, “Mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”.
Si përfaqësues i palës shqiptare për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishte zëvendësministri i Jashtëm Selim Belortaja, ndërsa për palën serbe, ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç.
Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme bëjnë me dije se marrëveshja për lëvizjen e lirë është e bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë dhe synon mundësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve nga njëri shtet në tjetrin.
Kjo marrëveshje parashikon gjithashtu përjashtimin nga viza për hyrjen në territorin e secilës palë për një vizitë ose qëndrim që nuk i kalon 90 ditë brenda 180 ditëve.
Mësohet se procedura për shtetasit të cilët dëshirojnë të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë kohe në territorin e njërës palë kontraktuese, për qëllime studimi, punësimi, ribashkimi familjar, etj, do ti nënshtrohet kërkesave të legjislacionit të brendshëm të secilit vend.
a.y/NOA