SHBA, 5 korrik 2011NOA/ Zëri i Amerikës- Tri qendra bërthamore në Shtetet e Bashkuara po kërcënohen nga katastrofa natyrore. Dy centrale bërthamorë në shtetin e Nebraskës janë në rrezik të dëmtohen nga përmbyte të papara në histori nga Lumi Mizuri, ndërsa në Nju Meksiko, laboratori më i madh i armëve bërthamore në Shtetet e Bashkuara po kërcënohet nga zjarret që kanë shkatërruar mijëra hektarë tokë.
Megjithë kërcënimet e paralajmëruara nga disa grupe të mbrojtjes nga armët bërthamore, zyrtarët thonë se nuk ka arsye të menjëhershme për t’u alarmuar.
Centrali i energjisë bërthamore në Fort Kalhun të shtetit Nebraska është i rrethuar nga një metër ujë për shkak të fryrjes së Lumit Mizuri. Ky central është projektuar të mbetet i thatë edhe nëse niveli i ujit ngrihet edhe 2 metra të tjerë, megjithatë ai u mbyll në muajin prill si masë paraprake. Ekspertët thonë se reaktori dhe shufrat e tij radioaktive nuk janë në rrezik të menjëhershëm.
Drejtori i Komisionit për Sigurinë Bërthamore vizitoi këtë central gjatë javës së kaluar dhe tha se nuk ka rrjedhje uji në bërthamën e reaktorit.
"Rreziku për momentin është shumë i vogël", tha ai.
Por grupe që ndjekin nga afër industrinë bërthamore paralajmërojnë se ujërat nga përmbytjet mund të shkaktojnë mos funksionimin e sistemeve elektrike të ftohjes, gjë që shkakton nxehjen e bërthamës radioaktive dhe shkrirjen e sistemit. Kevin Kamps është me grupin “Beyond Nuclear”, i cili mbron përdorimin e energjisë alternativë.
"Siguria e tanishme nga rreziku ndahen nga 2 metra ujë. Nëse kemi rreshje të paparashikuara, ose tornado, nëse një prej digave çahet, në centralin bërthamor të Fort Kalhunit mund të përballemi me katastrofë".
100 kilometra më në jug, përmbytjet kërcënojnë gjithashtu reaktorin Kuper afër Hamburgut të Nebraskës. Autoritetet besojnë se niveli më i lartë i centralit, bashkë me thasë me rërë dhe murin 3 metra të lartë prej betoni, do ta mbrojnë atë nga përmbytjet.
"Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për t’u siguruar se jemi të përgatitur në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që gjithë centralet bërthamorë janë projektuar të mos dëmtohen nga përmbytjet më të mëdha në histori".
Kevin Kamps me grupin “Beyond Nuclear” nuk është dakord me këtë vlerësim.
"Reaktori Kuper funksionon me fuqi të plotë dhe autoritetet pretendojnë se kanë 50 centimetra ujë para se ta mbyllin atë në bazë të rregullave të sigurisë. Rreziku, me të cilin ata po përballen, ka të bëjë me funksionimin e reaktorit, sepse pas mbylljes së reaktorit do të duhen shumë ditë madje edhe javë që të ftohet bërthama".
Në pjesën jugperëndimore të vendit, zjarret më të mëdha jashtë kontrollit në historinë e shtetit Arizona kanë kaluar në shtetin fqinj të Nju Meksikos madje po kërcënojnë qytetin Los Alamos, ku ndodhet laboratori më i madh i armëve bërthamore të vendit dhe vendlindja e bombës atomike. Çarls Makmillan është drejtor i laboratorit, i cili është mbyllur.
"Qendrat tona dhe materiali bërthamor janë të mbrojtura dhe të sigurta".
Los Alamos ka një vend për hedhjen e mbeturinave me kapacitet shumë të madh, i cili ndodhet mbi nivelin e tokës në tenda prej bezeje. Kevin Kamps i grupit “Beyond Nuclear” thotë se Los Alamos është kërcënuar nga zjarret edhe më parë.
"Oklahoma, Teksasi, pjesë të Kolorados dhe Kansasit madje dhe zona përreth përjetoi para 11 vjetësh një re radioaktive nga laboratori kombëtar i Los Alamos, përfshirë edhe plutonium, i cili është shumë i rrezikshëm. Vetëm një sasi e vogël pluhuri plutoniumi në mushkëritë e njeriut bëhet shkak për kancerin në mushkëri".
Zjarri është përhapur në mbi 24 mijë hektarë, dhe ndërsa zjarrfikësit kanë bërë përparim, ata paralajmërojnë se drejtimi i erërave nuk mund të parashikohet. Dag Taker është shef i departamentit të zjarrfiksve në Los Alamos.
"Ne jemi të përgatitur nëse zjarri përhapet në çdo drejtim. Këtë nuk mund ta dimë deri sa përballemi direkt me situatën".
Zjarret dhe përmbytjet kanë shkaktuar shqetësime të tjera rreth rrezikut të centraleve bërthamore të vendit ndaj katastrofave natyrore. Majin e kaluar, Komisioni për Sigurinë Bërthamore tha se vetëm 12 prej 104 reaktorëve në funksionim kishin probleme me standardet e sigurisë në raste emergjencash. Por sipas një raporti të botuar kohët e fundit nga organizata e gazetarëve, ProPublica, 60 prej 65 cetraleve bërthamore të Shteteve të Bashkuara kishin probleme me pajisjet e tyre emergjente.
a.q/NOA