English

Topi-Wollfarth: Kolegji i paanshëm në vendim, të funksionojë vetëm ligji

Tiranë, 5 korrik 2011, NOA- (Update) Vetëm pak minuta pas mbylljes së takimit mes kreut të shtetit Bamir Topi dhe kreut të misionit të OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth është zbardhur përmbajtja e bisedës mes tyre.

Burime zyrtare nga Presidenca bëjnë me dije se në këtë takim pune, Kreu i Shtetit shqiptar, duke diskutuar për situatën paszgjedhore në vendin tonë, theksoi “nevojën e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011 sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me qetësi nga të gjitha palët të gjykimit përfundimtar, të paanshëm e të pandikuar politikisht nga ana e institucioneve të pavarura ligjore përkatëse, në këtë rast të Kolegjit Zgjedhor, që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë proces të stërzgjatur.” Në vijim, Presidenti Topi dhe ambasadori Wollfarth vunë në pah nevojën për nisjen sa më shpejt të punës me konsensus dhe dialog ndërpartiak për reformimin e Kodit Zgjedhor në fuqi dhe përmirësimin e mangësive të tij aktuale.

Nga ana e tij Wollfarth shprehu mbështetjen e vendosur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij të vazhdueshme që bëjnë thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës dhe ligjeve në fuqi, duke theksuar nevojën e rivendosjes së dialogut institucional e funksional demokratik.

Të dy biseduesit duke u përqendruar në aspiratat ende të papërmbushura integruese evropiane të mbarë popullit shqiptar, ndanë të njëjtin shqetësimin për sa i përket mosshpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve vendore, duke vënë në dukje se: “Në këto momente duhet të funksionojë vetëm ligji dhe shteti i së drejtës në mënyrë që të zbatohen standardet e vërteta të drejtësisë e të demokracisë më të konsoliduar perëndimore”.

a.y/NOA

KOMENTE