English

Trashëgimia e Kosovës

Në esencë, debati për trashëgiminë është pjesë e debatit për sovranitet mbi Kosovën

Nga Shkëlzen Maliqi

Në mediat serbe këto ditë po bëhet shumë zhurmë rreth një debati të zhvilluar në Komitetin për Trashëgimi Botërore pranë UNESCO’s në Paris. Ky komitet diskutoi idenë që trashëgimia mesjetare në Kosovë të mos quhet më trashëgimi e Serbisë, por trashëgimi e Kosovës. Debati nuk është shtruar së koti në komitetin që e ka për detyrë kujdesin ndaj trashëgimisë botërore. Me Konventën e UNESCO’s për Trashëgimi Botërore të vitit 1972, Neni 4, përcaktohet qartë se “detyra e sigurimit të identifikimit, mbrojtjes, konservimit dhe bartjes te brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore… i takon para së gjithash shtetit, në territorin e të cilit gjendet ajo trashëgimi”. Dhe, meqë Kosova që nga viti 2008 e shpalli pavarësinë dhe manastiret e kishat që janë në mbrojtje të UNESCO’s gjenden në Kosovë, kjo nismë e ndryshimit të titullarit duket më se e arsyeshme. Përgjegjësia për mbrojtjen dhe konservimin e trashëgimisë i takon shtetit të Kosovës.

Debati që po inicohet në Komitetin për Trashëgimi Botërore për të tretën herë zhvillohej pa pjesëmarrjen e Kosovës, sepse shteti ynë ende nuk është bërë anëtar i UNESCO’s. Diplomatët serbë kanë insistuar në këtë fakt, si dhe në tekstin e kreut të Nenit 4 të konventës që e citova më lart, ku thuhet se obligimi vlen “për shtetet anëtare që e kanë nënshkruar konventën”. Po kështu, Beogradi insiston se në listën e UNESCO’s këto monumente evidentohen si trashëgimi e Serbisë. Madje, në vitin 2006, Serbia ka arritur që monumentet mesjetare në Kosovë t’i fusë, po në këtë komitet, në listën e veçantë të monumenteve të rrezikuara, si të vetmet të tilla në Evropë.

Në debatin e Parisit për riemërimin e trashëgimisë janë angazhuar posaçërisht Franca, Suedia dhe Zvicra, por nuk kanë arritur që ta sigurojnë përkrahjen e dy të tretave të komitetit 21 anëtarësh. Por, çështja ka mbetu e hapur për shqyrtim edhe vitet në vijim. Vetë fakti se kjo trashëgimi është shpallur e rrezikuar, imponon që Komiteti për Trashëgimi Botërore ta ketë në vazhdimësi shqyrtimin e përcaktimit të titullarit përgjegjës për mbrojtjen e tyre. Me rritjen e vendeve që kanë njohur Kosovën, sigurisht se do të tejkalohet edhe kjo pengesë.

Në shikim të parë ndryshimi i propozuar në emërtim nuk duket edhe aq i madh. Në listën e UNESCO’s emërtimi aktual është “monumente mesjetare në Kosovë” (Serbi), ndërkaq që propozimi është që të quhen “monumentet mesjetare të Kosovës”. Edhe për emërtimin e parë në Serbi ka pasur vërejtje, sepse disa mendonin se ato duhet quajtur “monumente mesjetare serbe”. Ndërkaq, emërtimi i ri pa mëdyshje përcakton se këto janë monumente të Kosovës.

Kjo edhe e zemëron Beogradin zyrtar dhe Kishën Ortodokse Serbe (KOS), pasi që e konsiderojnë si aksiomë të padiskutueshme karakterin serb të trashëgimisë mesjetare në Kosovë, përderisa edhe vetë Kosovën e shohin si pjesë të Serbisë. Nga qeveria dhe kisha serbe akuzohet posaçërisht Franca, si ish-aleate historike e Serbisë, se tash po kontribuuon në “rrëmbimin e turpshëm të trashëgimisë serbe”. Ministri i Jashtëm serb, Jeremic, e pa riemërimin si “tentim që Serbisë t’i vidhet identiteti dhe t’i ndryshohet historia”.

Në esencë, debati për trashëgiminë është pjesë e debatit për sovranitet mbi Kosovën. Në Paris përfaqësuesi i Francës ka insistur se çëshja e pavarësisë së Kosovës është tashmë e pakthyeshme, andaj edhe UNESCO duhet ta pranojë realitetin dhe trashëgiminë botërore në Kosovë t’ia lë titullarit të sovranitetit, intitucioneve të Kosovës. Kjo shtron edhe nevojën e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO me status të barabartë në të ardhmen, besojmë jo fort të largët.

Përndryshe, edhe pse Republika e Kosovës nuk ka qenë pjesë e debatit në Paris, dihet se ajo i ka marrë përsipër obligimet e shumta rreth trashëgimisë. Kosovën për këtë e obligon edhe Plani i Ahtisaarit, që qëndron në themelet e krijimit të shtetit. Një kapitull i veçantë, Neni 7 i Planit, i kushtohet trashëgimisë fetare dhe kulturore në Kosovë dhe aty decidivisht thuhet se Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet t’i ofrohen “siguria shtesë dhe disa mbrojtje, të drejta, privilegje dhe imunitete”. Në praktikë, shteti i Kosovës realizoi shumicën e garancive, duke krijuar edhe zona të mbrojtjes përreth kishave dhe manastireve më të rëndësishme.

Megjithatë me Planin dhe Kushtetutën e Kosovës nuk parashihet ndonjë status ekstraterritorial trashëgimisë mesjetare dhe ajo definohet pa asnjë dyshim si pjesë të pandashme e Kosovës, psh. në formulimin se “Përgjegjësia kryesore për të ofruar sigurinë e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kosovës bie mbi organet kosovare të zbatimit të ligjit, e në veçanti Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK). Mbrojtja e objekteve fetare dhe kulturore serbe është detyrë e veçantë operacionale e SHPK-së”. Aneksi V i Planit të Ahtisaarit, Neni 3.1.1.)

Trashëgimia sigurisht do të jetë edhe temë e dialogut aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku sapo janë arritur marrëveshjet e para. Në çështjen e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore duhet t’i iket sa më shumë politizimeve. Serbia dhe Kisha mund të shfaqin interes të veçantë për gjendjen e trashëgimisë në Kosovë, nëse kjo do të kontribuonte në mbrojtjen e tyre, por nuk mund të pretendojnë më shumë të drejta ose sovranitet të plotë mbi këtë trashëgimi, duke i shndërruar në tapi historike edhe për të drejtën për sundimin politik të Kosovës.

Është një krahasim që mund të ul pretendimet serbe. Mbretërit serbë dhe car Dushani, po në atë kohë kur i kanë ndërtuar disa nga monumentet në Kosovë, që tani po politizohen si tapi të sovranitetit të Serbisë, në të vërtetë kanë ndërtuar edhe më shumë manastire dhe kisha në disa shtete tjera, që shteti mesjetar serb i kishte pushtuar dhe sunduar në një periudhë, psh. në Maqedoni (Ohri etj.), Mal të Zi (Moraça etj.), Bosnjë dhe Shqipëri (Prespa), apo edhe në Greqi (Hilandari). Por, kjo trashëgimi nuk quhet “trashëgimi serbe”, por iu takon shteteve respektive. As për Kosovën nuk kërkohet më shumë.

Vetëm se Kisha Ortodokse Serbe në të vërtetë e ka krahun ekstrem të fuqishëm, krah që mbron “sovranitetin kishtar” të saj në këto vende fqinje, duke mos i njohur në tërësi ose pjesërisht autoqefalinë e kishave otodokse në Maqedoni dhe Mal të Zi, si dhe ka ende edhe pretendime ndaj Veriut të Shqipërisë. Dhe ky sovranitet kishtar bëhet shpesh edhe frymëzim për pretendimet që të ringjallet edhe sovraniteti politik, gjë që shkakton njërin nga fundamentalizmat fetarë që mund ta rrezikojnë realisht trashëgiminë kulturore mesjetare.

KOMENTE