Nga Joschka Fischer
Që nga fillimi i krizës së borxhit grek në vitin 2010, lojtarët e mëdhenj europianë duhej të kishin kuptuar rreziqet dhe pasojat që kjo përbënte për Bashkimin Europian. Nuk është kjo përshtypja e krijuar prej tyre. Kriza gjithnjë shkonte përtej Greqisë: një faliment kaotik atje do të kërcënonte me një reaksion zinxhir dhe një fundosje fiskale të ekonomive të tjera të BE-së në periferinë jugore, përfshirë edhe ekonomi shumë të mëdha, bashkë me banka kryesore dhe kompani sigurimesh europiane. Kjo do ta zhyste ekonominë botërore në një tjetër krizë financiare, duke shkaktuar një tronditje të ngjashme me atë të vjeshtës së vitit 2008. Do të thoshte, gjithashtu, një dështim të eurozonës që nuk do linte pa dëmtuar Tregun e Përbashkët.
Për herë të parë në historinë e tij vetë vazhdimësia e projektit europian është në dilemë. E megjithatë, qëndrimi i BE-së dhe shteteve anëtare më të rëndësishme të saj ka qenë i pavendosur, për të thënë më të paktën, falë egoizmit kombëtar dhe një mungese të paimagjinueshme lidershipi.
Shtetet mund të falimentojnë ashtu si kompanitë, por ndryshe nga kompanitë ato nuk zhduken kur ndodh kjo. Kjo është arsyeja se pse shtetet nuk duhet të ndëshkohen dhe pse interesat e tyre të mëtejshme nuk duhen nënvlerësuar. Shtetet e falimentuara kanë nevojë për ndihmë për ristrukturimin, si në sektorin financiar dhe përtej tij, që të mund të dalin nga kriza.
Kjo është sigurisht e vërtetë edhe në rastin e Greqisë, problemet strukturore të së cilës janë shumë më të thella se, madje, edhe vështirësitë financiare. Deri më tash BE-ja dhe qeveria greke kanë dështuar në adresimin e problemeve strukturore të Greqisë. Por ato kanë nevojë të zhvillojnë dhe (financojnë) një strategji të përshtatshme për ristrukturimin ekonomik në mënyrë që grekëve t’u bëhet e qartë - gjithashtu tregjeve financiare të paqëndrueshme - se ka dritë në fund të tunelit.
Të gjithë e dinë se Greqia nuk do të jetë në gjendje të dalë nga kriza pa një borxh lehtësues të madh. Pyetja e vetme është nëse ristrukturimi i borxhit të këtij vendi do të jetë i rregullt dhe i kontrolluar apo kaotik dhe ngjitës.
Sido që të jetë, debati i brendshëm në Gjermani rreth asaj nëse duhet paguar për borxhet greke, është qesharak. Refuzimi i ndihmës nuk është një opsion, sepse Gjermania dhe të gjithë anëtarët e eurozonës janë në të njëjtën varkë. Një evazion i Greqisë do të ishte kërcënim edhe për ta, sepse do të ngrinte shqetësime të menjëhershme rreth falimentimit të bankave të rëndësishme dhe kompanive të sigurimit të Europës.
Po çfarë presin krerët e qeverive të eurozonës atëherë? Apo hezitojnë të hapin kartat me popullin e tyre nga frika e të ardhmes së vet politike? Kriza financiare europiane është në fakt një krizë politike, sepse udhëheqësit e BE-së nuk janë në gjendje të vendosin mbi masat e nevojshme. Koha kalon me çështje të dorës së dytë, që i kanë rrënjët te shqetësimet e brendshme politike.
Natyrisht, është e drejtë të argumentosh, në parim, se bankat duhet të marrin pjesë në financimin e zgjidhjes së krizës së borxhit. Por nuk ka kuptim të këmbëngulësh te kjo, për sa kohë humbjet e bankave që mbeten “tepër të mëdha për të falimentuar” mund të çojnë në një krizë të re financiare. Çdo shans që kjo të funksiononte, do të kish kërkuar riparimin e sistemit financiar në fillim të 2009-ës, por kjo mundësi u çua dëm.
Për sa kohë që kriza politike kërcënuese e BE-së vazhdon, kriza financiare e saj do të vazhdojë të mbjellë destabilzim. Në qendër të zgjidhjes së kësaj krize gjendet siguria se euro - dhe bashkë me të edhe BE-ja në tërësi - nuk do të mbijetojnë pa një unifikim politik më të gjerë europian. Nëse europianët duan ta mbajnë euron, ne duhet të ecim përpara me bashkimin politik duke filluar që tani; përndryshe, na pëlqen ose jo, euro dhe integrimi europian do të zhbëhen. Europa kësisoj do të humbte pothuajse çdo gjë që ka fituar përgjatë një gjysmë shekulli nacionalizmash të tejkaluara. Në perspektivën e rendit të ri botëror që po shfaqet, kjo do të ishte një tragjedi për europianët.
Fatkeqësisht, kur presidenti në largim i Bankës Qendrore Europaine, Jean Claude Trichet, propozoi një hap në këtë drejtim, duke sugjeruar krijimin e një “sekretari europian të Thesarit”, krerët e shteteve dhe qeverive e shmangën këtë ide. Pothuajse askush në Këshillin e Europës nuk duket i gatshëm për të pranuar thellësinë e krizës europiane.
Zgjidhja e kësaj krize kërkon më shumë Europë e më shumë integrim dhe jo më pak. Dhe, po: ekonomitë e pasura - para së gjithash Gjermania - do duhet të paguajnë për rrugëdaljen. Gjermania dhe Franca, dy lojtarët kryesorë në këtë krizë, do të duhet të hartojnë një strategji të përbashkët, sepse vetëm ato duke punuar së bashku mund të gjejnë një zgjidhje e ta çojnë në fund.
Problemi është se referendumi francez për Kushtetutën e BE-së në vitin 2005, i vuri veton integrimit të mëtejshëm politik, ndërsa integrimi i mëtejshëm ekonomik mund të dështojë tani për shkak të Gjermanisë.
Ajo që kërkohet, rrjedhimisht është një dialog dypalësh dhe i hapur franko-gjerman rreth një ripozicionimi të bashkimit monetar. Ndryshimet në traktat janë të pamundura; prandaj duhen gjetur metoda të ndryshme të cilat e bëjnë partneritetin franko-gjerman edhe më të rëndësishëm.
Pavarësisht krizës politike dhe paralizës së BE-së, europianët duhet të mos harrojnë sa e rëndësishme është dhe do të vazhdojë të jetë ekzistenca e tij. Duhet vetëm kujtuar gjysma e parë e shekullit të 20-të, për të kuptuar pse.
Autori është Ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zv/kancelar në periudhën 1998-2005.