English

ADN-ja e fijes së flokut lëkund dënimin për vrasësin e Mirit të Xhikes

Tiranë, 6 korrik 2011, NOA- I akuzuari për vrasjen e Mirit të Xhikes, Lavdërim Tufa, u përball gjatë ditës së sotme me seancën e radhës së mbajtur ndaj tij.

Çështje debati në këtë seancë në Gjykatën Penale ka qenë përputhshmëria e ADN-së së Tufës me atë të gjetur në vendngjarje, pas vrasjes së Fatmir Ramës i njohur ndryshe si Miri i Xhikes.

Ekspertët të cilët ishin thirrur në seancë u shprehën se 90% e ADN-së përputhej me atë të pandehurit por pjesa tjetër ka dalë e panjohur, çka sipas tyre mund të jetë edhe rastësi.

ADN-ja e cila është e vetmja provë e cila mban në burg Tufën, duket se nuk po i rëndon pozitat e tij, pasi fija e flokut e gjetur në vendngjarje pas ekspertizës së bërë nuk përputhet 100% me atë të të pandehurit.

Lavdërim Tufa akuzohet se është autori i vrasjes së Mirit të Xhikes në mars të vitit 2003 në një lokal në periferi të Tiranës dhe për këtë ai është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Tiranës, por ishte Gjykata e Lartë ajo që e riktheu edhe njëherë çështjen për rigjykim.

a.y/NOA

KOMENTE