English

Aksident afër Qafë Thanës, humb jetën 36-vjeçari nga Korça

Strugë, 6 korrik 2011, NOA - Një shtetas shqiptar humbi jetën mbrëmë në një aksident të regjistruar në rrugën nacionale Qafë Thanë-Strugë.

Aksidenti rezultoi fatal për 36-vjeçarin nga Korça Aurel.O, raporton agjencia INA.

Gjatë aksidentit është plagosur rëndë shtetasi tjetër R.O, 26 vjeç nga Korça, i cili është dërguar për të marrë ndihmën mjekësore në spitalin për traumatologji dhe ortopedi “Shën Erazmo” në Ohër.

Aksidenti ndodhi në momentin kur drejtuesi i kamionit me targa shqiptare, viktima Aurel O, lëvizi në drejtim të Strugës, e për shkak të shpejtësisë së madhe dhe kushteve rrugore, rrëshqiti duke rënë në një kanal të thellë 5 metra.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur organet e policisë, hetuesisë dhe prokurorisë nga Gjykata Themelore dhe Prokuroria Themelore në Strugë, për të kryer veprimet e duhura, ndërsa ekipet e policisë rrugore kanë drejtuar lëvizjen e veturave në të dy drejtimet.

Në bazë të urdhëresës së gjykatësit hetues, trupi i pajetë i Aurel O. nga Korça, u dërgua në morgun e Spitalit të Strugës, ku do të bëhet edhe obduksioni nga ekipi mjekoligjor.

INA/NOA

KOMENTE