Tiranë, 6 korrik 2011, NOA - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu tha sot se situata politike në vend është serioze, por nuk mund të cilësohet si një krizë e mirëfilltë.
Në një intervistë dhënë për gazetarin Alfred Peza në televizionin “Vizion Plus”, Arvizu u shpreh se kriza përfaqëson një situatë krejt ndryshe nga ajo që po kalon Shqipëria sot.
“Nuk do të përdoroja termin krizë. Mendoj se situata është serioze. Nuk do të them para jush dhe do të them se gjërat shkojnë mirë. Krizë përfaqëson një situatë të ndryshme. Ka dy gjëra që më shqetësojnë, ndonëse nuk ndodhet në krizë është në një gjendje amullie”, tha Arvizu.
Ai u shpreh se Shqipëria pas 2009 duhet të kishte bërë më shumë për integrimin e vendit. “Shtegu i reformave të Shqipërisë ka mbetur në vend. Shqipëria sapo ishte bërë anëtare në NATO-s në 2009. Tani kemi një situatë ngërçi zgjedhor në Tiranë dhe ky ngërç po vazhdon dhe ky është një burim frustrimi i dukshëm. Ajo që është e rëndësishme është që njerëzit të kenë një ndjenjë shprese”, tha Arvizu.
e.t/NOA