English

Berisha: Banesat në periferi, 40 % më të shtrenjta se në Berlin

Tiranë, 6 korrik, NOA – “Sektori i ndërtimit duhet të rikthehet në promotorin e zhvillimit ekonomik të vendit”. Kjo është deklarata që ka bërë Kryeministri Sali Berisha sot në mbledhjen e qeverisë, ku u fokusua kryesisht në zhvillimet ekonomike dhe turizmin. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se sektori i ndërtimit përbën një prej drejtimeve më të rëndësishme të ekonomisë, për shkak të degëve të tjera të biznesit që janë të lidhur më të. Ai tha se sektori i ndërtimit po zhvillohet dhe rritet.

Nga ana tjetër ai u ndal edhe në çmimin e banesave në Tiranën, duke theksuar se duhet të ketë një rishikim nga ana e vet kompanive, pasi çmimet në periferi të kryeqytetit janë në një nivel me ato të metropoleve më të zhvilluara në BE.

“Në projektin Shqipëria vend i zhvilluar, promotori i këtij projekti është dhe mbetet ndërtimi. Edhe pas përfundimit të projektit të shekullit siç ishte Rruga e Kombit në të cilën lëvizën 100 milionë metër kub dhera dhe shkëmbinj, ndërtimi pësoi një rënie por tani ka rimarrë veten fuqishëm. Shqipëria ndërtohet në të katër anët e saj,ndërtimi diktohet edhe nga tregu. Tregu është i shkëlqyer, ajo që e mundon tregun, nuk është aspak mungesa e parave, por babëzia. Sepse më duhet të them se ka ndërtues që kërkojnë t’i shesin qytetarëve të këtij vendi me çmime, në periferi po flas jo për qendrën, është ekzakt 40-50% më i kushtueshëm se në periferinë e Berlinit”, tha Berisha.

Kreu i qeverisë u ndal edhe në rëndësinë që ka sektori i turizmit për zhvillimin e ekonomisë. Sipas tij, tre muajt në vijim do të jenë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

“Pritet që ky tremujor të jetë kulmor për ekonominë shqiptare. Shqipëria turistike është Shqipëria që dyfishon banorët e saj. Turizmi këtë vit fatmirësisht ka qenë më i hershëm se ai i vitit të kaluar”, tha kreu i qeverisë.

Ai foli dhe për shkurtimin e shpenzimeve, duke theksuar se kjo masë është mjaft e rëndësishme, “ pasi ka të bëjë me “stabilitetin makroekonomik”.

a.k/NOA

KOMENTE