Bushi paraqitej në memorial me dorën e majtë të ngritur lart, duke përshëndetur qytetarët e Fushë-Krujës. Edhe është komentuar gjatë, derisa Bushin e kanë quajtur edhe “socialist”, me shaka dhe jo pa ironi
Ardian Bushi
E nëse katër vite më parë Xhorxh. w. Bush do të vizitonte Fushë-Krujën, ku u prit në mënyrë kaq madhështore, sa doli edhe jashtë “vijave të bardha”, duke u shkrirë në një, në përqafime me popullin e këtij qyteti, çuditërisht në mendje të vjen edhe ora e tij. Thashethemet, të cilat u servirën edhe në formën e një lajmi të bujshëm në ekranet e ndonjë televizioni, sikur e zbehën paksa vizitën e parë të një presidenti të SHBA, vendit më të fuqishëm të botës, në Shqipërinë e vogël të Ballkanit. Pikërisht në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Sot, u inaugurua memoriali i ish-presidentit amerikan në Fushë-Krujë, ]ka u shoqërua me një ceremoni protokollare dhe festive, ku merrte pjesë edhe kryeministri Berisha, por një “befasi” tjetër sikur e prishi paksa atmosferën.
Dizinjatorët e shkronjave kishin vendosur në memorialin e Xhorxh Bushit një germë tepër. Edhe pse askush nuk e kishte shumë mendjen tek mbishkrimi “Xhorxh. W. Bush, mik i madh i shqiptarëve”, kjo nuk ka shpëtuar pa u kapur nga ana jonë. Një “Ë”, e cila binte në sy, e kishin lënë për “kusur” dezinjatorët, pa e vrarë mendjen se ishte shtuar gabim. Ndërkohë, kishte zëra deri që thonin se shkronja “e tepërt” është shtuar “për të fituar” diçka më shumë para nga ana e firmës, që ka derdhur shkronjat e vendosura në memorialin e Bushit. Një tjetër dukuri interesante ishte se Bushi paraqitej në memorial me dorën e majtë të ngritur lart, duke përshëndetur qytetarët e Fushë-Krujës. Edhe është komentuar gjatë, derisa Bushin e kanë quajtur edhe “socialist”, me shaka dhe jo pa ironi.
Misteri nëse ishte vërtet Xhorxh Bush i mbuluar apo jo me çarçafë ka zgjatur plot 48 orë, pasi nuk ishin vendosur shkronjat dhe shtatorja ishte e mbuluar plotësisht. Madje është aluduar deri aty, sa ishte vendosur shtatorja e Nënë Terezës, për shkak të kërrusjes së kurrizit të saj. Dukej që inaugurimi ishte vërtet spontan, pasi binte në sy një mungesë organizimi e denjë për një ceremoni të tillë. Pak njerëz ishin të pranishëm dhe kjo u pa qartë, aq sa kryeministri Sali Berisha nisi t’u tregonte histori fëmijëve me shumicë, duke iu folur atyre për kontributin e SHBA-së për Shqipërinë në 100 vite, pa përjashtuar këtu edhe periudhën e diktatorit Hoxha, vitet 1944-1990. Paçka se meritat më të mëdha i takojnë Xhorxh Bushit, sepse erdhi në Shqipëri, dha lajmin e Kosovës së pavarur, të hyrjes së Shqipërisë në NATO, sipas kryeministrit tonë, edhe Bill Klinton ka kontributin e tij në tërë këto arritje të kombit tonë. Ceremonia ishte kaq e thjeshtë dhe modeste, sa edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Tiranë erdhën pasi kryeministri kishte kryer gjysmën e fjalimit. Kjo e detyroi Berishën të përsëriste vetveten, që edhe ai, si në rastin e shkronjës tepër në mbishkrimin e memorialit të Bushit, të mos dilte “defiçit”.
Shtatorja e Bushit ishte e derdhur në një material me ngjyrë mjaft të errët, sa disa banorë të thyer në moshë, që e kishin harruar disi ish-presidentin amerikan, e ngatërronin me Barak Obamën. Përreth shtatores së Bushit binte në sy mungesa e luleve dhe e gjelbërimit, ndërsa dritat e vendosura para shëtitores përkundrejt ishin thyer. Kjo detyroi kryeministrin të vendosej në krahun e majtë të memorialit të Xhorxh Bushit, për të mbajtur edhe fjalën e rastit, ku nënvizohej qartësisht proamerikanizimi i shqiptarëve. Ndërsa kryeministri u prit “ftohtë” në Fushë Krujë edhe për një fakt tjetër, pasi kryebashkiaku i ri i Bashkisë është i zgjedhuri i opozitës dhe administrata e Bashkisë, nuk ka ardhur e tëra për të pritur Berishën, për shkak se dikush mundet edhe të shënonte me laps emrat e tyre dhe mundet ta shikonin veten në reformë.
Ndërsa shkollat janë mbyllur e jo të gjithë mësuesit kanë janë detyruar të jenë të pranishëm sikurse ndodh mitingjet elektorale. E megjithatë monumenti u zbulua, e ishte kryeministri Sali Berisha që mori pjesë si “ ekspert” i inaugurimeve i shoqëruar nga një përfaqësues i Ambasadës Amerikane, ndërsa kryebashkiaku që ka dhënë idenë dhe që me fondet e Bashkisë ka investuar për shtatoren e Bushit nuk u përmend fare për kontributin e tij apo idenë që kishte dhënë.