English

Duhet të qortojmë të tjerët pse s’janë heronj?

Nga Mustafa Nano

Kur dëgjoj histori si kjo e Safo Markos, gjëja më e parë që më vjen në mendje është të bëj një provë imagjinare me veten. Dhe aty për aty ngre pyetjen, se si do sillesha unë në rrethana të tilla. Kam një përgjigje për këtë pyetje? Jo, nuk kam një përgjigje. Nuk “ma mban” të kem. Nuk e kam idenë se si do sillesha. Sapo më bëhet të besoj se nuk do të dorëzohesha përballë logjikës së diktaturës, ndjehem i trysur prej idesë se nuk do të ishte çudi të sillesha si një njeri i vockël, meskin, shpirtdobët, ligavec. Jam i prirur të mendoj se shumëkush e sheh po njësoj veten përballë një prove të tillë imagjinare. Kam përshtypjen se parimet e kredot jemi të gatshëm t’i mbrojmë deri në një farë pike, por jo në çdo rrethanë. Nuk e dimë mirë (e s’kemi si ta dimë; e ndoshta na vjen inat që s’kemi si ta dimë), se cila është kjo pikë, përtej së cilës ne mund të hiqnim dorë nga jeta me nder, e se çfarë arsyesh janë ato, për të cilat do ta gjenim të udhës të merakoseshim thjesht e vetëm për bythën tonë, apo më keq akoma, do ta gjenim të udhës të lëndonim e shkatërronim jetë të tjera njerëzish. Për ca e ca një arsye mund të jetë mundimi fizik (torturat nuk bëjnë pjesë tek gjërat simpatike që mund të na ndodhin; e të trembesh prej tyre është një nga gjërat më humane të kësaj bote), për ca e ca të tjerë siguria dhe mirëqenia (jo materiale) e të afërmve të vet, sidozot fëmijëve, e kështu me radhë.

Unë kam frikë prej vetes, dhe këtë nuk e them për të bërë përshtypje me sensin tim autokritik (kam kohë që mendoj se nuk duhet tepruar me shqyrtimin autokritik, pasi, kur ky i fundit është i shpërpjestimuar, ka rrezik të na sillet si një shock i fortë psiko-mental); e them, ngaqë është tamam kështu, d.m.th nuk i zë besë vetes në rrethana të pazakonta sa kohë që nuk e di se ç’do të thotë praktikisht ky fakt. Jeta nuk më ka vendosur asnjëherë në rrethana kësodore, dhe uroj që t’mos më vendosë kurrë (vini re: po flas për rrethana të pazakonta, e jo për rrethana të tjera, në të cilat gjallojnë njerëz që nuk dinë se ç’është jeta me nder, apo njerëz, jeta e të cilëve nuk ka pikë kuptimi pa bërë shërbime në favor të pushtetit, apo njerëz që ligësinë e kanë stil jetese, etj.). Sipas meje, e kanë kot ata që do t’i zinin besë vetes në rrethana të pazakonta të paprovuara, apo ata që do të rrihnin gjoksin për bëma që do të mund t’i bënin në rrethana të tilla.

Po kthehem në krye të shkrimit, te Safo Marko. Ajo, merret vesh, ka qenë vendosur në rrethana të tilla. Dhe nuk ka mundur ta kalojë provën. Mirëpo, më duket poshtërsi tentativa për ta kryqëzuar faqe botës (ka dhe një poshtërsi tjetër në këtë mes, më të madhe: me ç’të drejtë vallë e kanë nxjerrë në shesh këtë histori? Pse histori të tjera të ngjashme, madje më të rënda, nuk i nxjerrin?). Ajo thjesht është dorëzuar atje ku (dhe ashtu si) do të dorëzohej shumëkush. Është shumë e vërtetë ajo që thotë Visar Zhiti në intervistën e tij të dhënë për të përditshmen “Mapo”, se “[ajo] ka dashur të nxjerrë djalin nga burgu duke futur të tjerë brenda, dhe ky është një çmim i tmerrshëm”, por është po Visar Zhiti që rreket ta marrë në mbrojtje në një farë mënyre (dhe është një ndër pak njerëz që e ka bërë këtë). Pse? Ndoshta është në një mendje me mua, se njeriu edhe mund të dorëzohet në rrethana të pazakonta. Ai vetë nuk e ka bërë këtë (në këtë kuptim, ai është heroi im), por pavarësisht nga ky fakt, ndoshta pikërisht për këtë fakt, e mirëkupton (aq sa e mirëkupton) Safo Markon. Ai e di se ç’do të thotë “t’ia lidhësh këmbët [tjetrit] me rripin e pushkës dhe t’i biesh pushkës për t’i enjtur këmbët, t’i krijosh plagë dhe t’ia lyesh me kripë që t’i djegin, t’i shkulësh thonjtë, t’i shkulësh dhëmbët, ta varësh në mënyrë të tillë që këmbët t’i cikin pak në tokë, por njëkohësisht të mos prehet dot, lënia pa ujë, lënia në uri, lënia në diell me orë të tëra, ose rënia e pikës së ujit në kafkë gjatë me net të tëra dhe e fundit fare, ajo më e turpshmja, më e pamoralshmja, përdhunimi i pjesëtarëve të familjes në prani të personit”, e bash për këtë arsye provon pakëz empathi për Safo Markon.

Ndërsa me Fatos Kongolin mban një qëndrim tjetër, pasi ky i fundit “mund të thoshte JO. Mund të thoshte jo, e mbase nuk do të ishte shkrimtar aq i përkëdhelur apo s’do ishte shef, por amá nuk do ishte e thënë se do të shkonte ku shkoi ai, kolegu i tij, të cilin e përcolli me dëshminë e vet, shkrimtari”. Ka të drejtë Zhiti? Sipas meje, po. Kjo që ka bërë Kongoli nuk ka justifikim. E prandaj Kongoli rrëfehet (Apo jo? Unë besoj se po); e prandaj gjesti i tij duhet përshëndetur. Por të kuptohemi, pa e heroizuar si gjest. Ka ndonjë përpjekje për ta shitur kështu. Nuk ka asgjë heroike në rrëfimin e Kongolit. Por është një gjest që të tjerët s’e kanë bërë. E do duhej ta bënin. Ndoshta më të plotë e më të sinqertë se sa Kongoli.

Por kam përshtypjen se është e padrejtë të presësh diçka më shumë në rrëfimin e Fatos Kongolit. Kush e ka lexuar librin e tij “pothuajse roman” nuk ka mundur t’mos kapë një sinqeritet, që shkon deri në një si “vetpërçmim” të autorit. Kongoli duket se arrin në nivelet e frikshme të shqyrtimit autokritik, në ato nivele, të cilat pak më sipër unë i lidhja me çmontimin psikomental të robit. E mbani mend se si e përshkruan veten, marrëdhëniet me nomenklaturën, marrëdhëniet me të tjerët, patologjinë e drojës, marrëdhënien e tij me babain, autoritetin që ky i fundit kish mbi Kongolin, etj., etj? Teksa kam lexuar atë përshkrim që Kongoli i ka bërë vetvetes, unë do të çuditesha sikur ai të dilte “palagur” nga regjimi.

Dhe në këtë pikë duhet parë e vlerësuar Kongoli. Rrallë më ka qëlluar të njoh njerëz kaq të sinqertë (gjë që s’do të thotë se ai nuk mund të ishte më i sinqertë). Në këtë kuadër, rrëfimi që ai bën për dëshminë e tij në gjyq ka më pak rëndësi se sa rrëfimi i pamëshirshëm që ai bën mbi veten. Unë nuk ia përligj dëshminë që ka bërë, me fjalë të tjera e mirëkuptoj Zhitin që nuk e mirëkupton Kongolin (s’ka pasur asnjë rrethanë të pazakontë, që mund ta bënte disi të kuptueshëm këtë dëshmi), por mendoj se dy fjalë të mira për gjestin e rrëfimit ai i meriton. Përsëris, se ka të tjerë, plot të tjerë, që këtë gjest nuk e kanë bërë; e as që u shkon në mendje ta bëjnë.

Gazeta “Shqip”

KOMENTE