English

Fondacioni Vodafone prezanton çmimin ‘Grahame Maher” prej £100,000

Çmimi Grahame Maher i programit Bota e Ndryshimit mundëson të gjithë fituesit e mëparshëm të këtij programi të aplikojnë për një grant prej £100,000 për të çuar më tej punën e tyre bamirëse

Tiranë, 6 Korrik 2011 NOA - Fondacioni Vodafone në Mbretërinë e Bashkuar njoftoi sot çmimin “Grahame Maher” të programit Bota e Ndryshimit, duke forcuar përkushtimin ndaj këtij programi dhe në të njëjtën kohë duke shprehur mirënjohjen kundrejt frymëzuesit të këtij programi.

Të 1,500 zbatuesit aktualë dhe të mëparshëm të Botës së Ndryshimit nga e gjithë bota do të kenë mundësinë të aplikojnë në këtë konkurs, i cili do të shpall një fitues për çdo vit. Fituesit të çmimit “Grahame Maher” do t’i akordohet një financim prej £100,000 në mënyre që të çoj më tej nismën e tij me organizatën mbështetëse. Ky konkurs do të zhvillohet për tre vite radhazi duke filluar nga viti 2011.

Ky çmim është një dedikim ndaj Grahame Maher, Drejtorit të Përgjithshëm të Vodafone Katar, i cili ndërroi jetë një vit më parë. Grahame ishte themeluesi i programit të parë të Botës së Ndryshimit në Zelandën e Re në vitin 2002.

Sot, 20 Fondacione Vodafone në të gjithë globin, përfshirë edhe Shqipërinë, zbatojnë këtë program dhe i japin mundësi njerëzve me pasion të sjellin ndryshim në komunitetet, duke mbuluar shpenzimet operative dhe pagën e tyre mujore për 12 muaj.

“Grahame ishte një drejtues me pasion, i thjeshtë dhe vizionar, i cili gjatë 18 viteve në Vodafone ka dhënë kontributin a tij në shumë vende të ndryshme të botës,” komentoi Andrew Dunnett, Drejtor i Fondacionit Vodafone në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ky çmim jepet në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për këtë njeri vërtetë frymëzues, i cili ishte i përkushtuar për ta bërë botën një vend më të mirë. Ai ndryshoi jetën e të gjithë atyre që takoi dhe ky çmim i ofron mundësinë të tjerëve për të bërë të njëjtën gjë” – shtoi Dunnet.

Aplikimet për çmimin do të hapen në 25 gusht 2011 dhe do të mbyllen në 8 shtator 2011. Aplikantët fillimisht do të vlerësohen nga Fondacioni Vodafone i vendit të tyre, bazuar në një sërë kriteresh, përfshirë këtu mënyrën se si ata do të vendosin në përdorim potencialin e teknologjisë së telefonisë celulare për të arritur ndryshimet sociale.

Pasi të jenë përzgjedhur finalistët, publiku do të votojë kandidatët e tyre të preferuar nëpërmjet Facebook-ut. Tre kandidatët më të votuar, më pas do të vlerësohen nga një panel ekspertësh, cili do të përzgjedhë edhe fituesin e këtij çmimi për vitin 2011.

e.t/NOA

KOMENTE