English

“Hiqe ministrin nga priza” rrëmben dy çmime në Festivalin e Dibrës

Aktorja Cubi Metka fiton aktorja më emirë joprotagoniste dhe çmimin“Shfaqja më e mirë” në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoni”

Shkup, 6 Korrik 2011 NOA - Teatri i Metropolit kthehet në Tiranë me dy çmime të fituara në Festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoni”, i cili u mbajt në Dibër në datat 28 qershor-4 korrik 2011. Në një atmosferë të nxehtë dhe garuese, aktorët e rinj dhe të talentuar rrëmbyen jo vetëm duartrokitjet e publikut dibranas, por edhe të jurisë, e cila e vlerësoi me çmimin “Shfaqja më e mirë”. Ndërsa aktorja e trupës, Cubi Metka fitoi çmimin si aktorja më e mirë joprotagoniste.

Në mbrëmjen e parafundit të Festivalit të Teatrove në Dibër, publiku artdashës pati mundësinë dhe kënaqësinë për të shikuar një komedi mjaft të pëlqyer nga publiku, në interpretim të Teatrit të Metropolit nga Tirana. Një shfaqje që i tejkaloi parashikimet e jurisë dhe publikut, një shfaqje që tregoi mjeshtëri të lartë aktoriale dhe perfeksion, pothuajse matematikor, përsa i përket ritmit dhe dinamikës. Aktorët: Ina Gjonçi, Devis Muka, Klodian Hoxha, Klodiana Keco, Cubi Metka, Roland Saro dhe Alban Musa, përmes një loje dinamike, na e sollën fabulën tragjikomike të një ministri të aksidentuar rëndë, që e mbanin në jetë nëpërmjet një aparature vetëm për shkak të numërimit të “gishtave” të votave, sepse vota e tij ishte vendimtare për rënien ose jo, të një qeveria angleze.

Kjo vepër komedi, e autorit anglez Eric Idle, garoi në skenën e pallatit të kulturës në Dibër, në kuadër të Festivalit, ditën e dielë, vënë në skenë nga regjisori Arbër Jakllari.

Bazuar në tekstin e autorit, regjisori, duke pas një trupë mjaft dinamike në skenë, ka rritur të ndërtojë një harmoni skenike, duke sjellë para publikut problematikat politiko-komike, me një mozaik të bukur skenik, duke pasqyruar amoralitetin politik, korrupsionin dhe të gjitha dukuritë negative të shoqërive qeverisëse, problematikë që mund të pasqyrojë dhe të paraqitet kudo, pa përjashtuar edhe ambientin tonë.

“Priza” ishte çelësi i të gjitha kombinatorikave që bëheshin në shtëpinë e ministrit, marifetllëqet, amoralitetet, aktivitetet korruptive, vetëm e vetëm që detyrën e ministrit ta ushtrojë zv/ministri,- i dashuri i gruas së ministrit “në prizë”, e cila kishte po ashtu edhe dashnorë të tjerë.

Pas shfaqjes, në tryezën e rrumbullakët, drejtuar nga prof.Dr.Selajdin Salihu, vlerësime rreth shfaqjes dhanë prof.Dr.Nebi Islami, prof. Dr.Josif Papagjoni si dhe shumë spektatorë të pranishëm nga Dibra, Tirana, e Struga, si p.sh. Hervin Çuli, Naime Azi, Nuri Koleci, Baudin Maqellara, Olsa Poshka, e cila shtroi edhe dilemën profesionale, a është kjo shfaqje regjisoriale, apo aktoriale. “Këta aktorë të mrekullueshëm interpretuan me një energji dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa u vërtitën si një ortek i fuqishëm në sallë duke rrëmbyer edhe duartrokitjet e spektatorit dibranas”- u shpreh kritiku Josif Papagjoni.

“Një ansambël aktorësh perfekt me një dinamikë dhe harmoni të jashtëzakonshme”-do ta cilësonte kritiku kosovar Nebi Islami.

Skenografia edhe pse mjaft statike, ishte mjaft funksionale për lojën e aktorëve, ndërsa kostumet e përzgjedhura nga Olsida Murati, plotësonin situatat nëpër të cilat zhvillohej komedia-shfaqja.

“Hiqe Ministrin nga priza” do të rikthehet në Teatrin e Metropolit në muajt shtator, ndërsa priten edhe pjesëmarrje të tjera të kësaj shfaqje në festivale të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

e.t/NOA

KOMENTE