Tiranë, 6 korrik, NOA - Nga data 29 shtator deri më 2 tetor, në Tiranë do të mbahet konferenca e Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore Katolike të Evropës.
Lajmi bëhet me dije nga “Radio Vatikani”, media kjo që e ka cilësuar këtë si një ngjarje e rëndësishme kishtare, gjatë së cilës do të trajtohen tema të ndryshme kishtare dhe shoqërore.
"Mbledhja e kryetarëve të konferencave ipeshkvnore katolike dhe personaliteteve tjera kishtare evropiane në Tiranë, përbën në të njëjtën kohë edhe një mirënjohje ndaj Kishës shqiptare dhe vlerësim për punën e bërë në periudhën pas rënies së regjimit e të diktaturës komuniste etj”, citon ajo.
Kjo Konferencë, bëhet me dije se do të ketë për temë “Ungjillëzimin e ri në Evropë”.
Ndërkaq, Presidenti i konferencës ipeshkvnore katolike të Shqipërisë dhe kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita, ka deklaruar lidhur me këtë aktivitet se ky përbën një vlerësim për vendin tonë.
“Për ne dhe kishën e këtij vendi, është një ngjarje mjaft e rëndësishme. Do të trajtohen tema të ndryshme e mjaft të rëndësishme, nga ekspertë të posaçëm, si edhe autoritete të larta kishtare.
Ky eveniment mirëpritet edhe nga komunitetet e tjera.
Ai përbën në të njëjtën kohë edhe një hap më të sigurtë drejt atij integrimi që ne kërkojmë”, ka pohuar ai për “Radio Vatikani”.
Ndërkaq, para pak ditëve, në një takim që u mbajt në Torino, Konferencat ipeshkvnore katolike të Evropës diskutuan mbi marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Islamit.
n.e/NOA