Tiranë, 6 korrik 2011, NOA – Pas tërheqjes së kërkesës për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi, e pranuar nga Kolegji Zgjedhor, Partia Socialiste deklaroi se “çështja nuk ka përfunduar, dhe kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë qëndron ende”.
Përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri akuzoi PD-në për një tentativë për ruajtjen e rezultatit të shpallur nga KQZ dhe rrëzimin e kërkesë-padisë së PS-së.
Gjiknuri bëri me dije se është dorëzuar edhe një kërkesë padi tjetër në KQZ, të cilën ajo nuk e mori në shqyrtim.
“KQZ zgjodhi një taktikë ku nuk përcaktoi rrugën e ankimit të rrëzimit të kërkesës sonë”, bëri me dije Gjiknuri.
Ai argumentoi se “kjo është një hile procedurale e KQZ-së për të orkestruar të gjitha etapat procedurale të çështjes në Kolegj.
Gjiknuri ritheksoi se “Ne kemi ankuar një vendim për miratimin e tabelës, dhe një vendim të KQZ-së për ankesën e PS-së”.
PD kërkoi që dy kërkesë paditë e PS-së të bashkohen në një të vetme.
Çështja do të rikthehet në KQZ, tha Gjiknuri, që do të shqyrtojë pikërisht ankesën e PS-së për vendimin e tabelës përmbledhëse të Tiranës dhe vendimin e KQZ-s për fituesin.
Kërkesa e 2 korrikut do të shqyrtohet të premten me relatore Sashenka Jonuzin.
mit/NOA