English

Kolegji Zgjedhor mblidhet të enjten për ankimimin e PS

Tiranë, 6 korrik 2011, NOA – Pas tërheqjes nga PS të kërkesës për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi, që përfshihej në padinë e datës 30 qershor, Kolegji Zgjedhor vendosi të mblidhet të enjten për të shqyrtuar padinë e Partisë Socialiste të datës 2 korrik.

Partia Socialiste i kërkon Kolegjit Zgjedhor në këtë padi që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të marrë në shqyrtim kërkesën e PS-së për shpalljen të pavlefshëm të vendimit që shpalli fitues me 92 vota Lulzim Bashën dhe të hedhë poshtë rezultatin e zgjedhjeve vendore në Tiranë.

Relatore e çështjes në shqyrtimin e datës 7 korrik do të jetë gjyqtarja Sashenka Jonuzi.

Ky vendim erdhi pas tërheqjes së PS-së nga padia e dorëzuar në 30 qershor, ku PS paraqiti pretendimet e saj për cënimin e procesit zgjedhor, të parimit kushtetues të përputhjes së votave me numrin e votuesve, integritetit të kutive dhe mospërputhje të shifrave, duke kërkuar edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 284 qendra votimi dhe ripërsëritjen e tyre.

Në padinë që pritej të shqrtohej sot, PS kërkonte nga Kolegji Zgjedhor rrëzimin e vendimit 1158 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli tabelën përmbledhëse të rezultatit për Tiranën pas hapjes së 1793 kutive të tjera, nga ku doli fitues me 93 vota kandidati demokrat Lulzim Basha dhe ripërsëritje të zgjedhjeve.

Opozita garantoi se pas shqyrtimit të ankesës së PS-së së pashqyrtuar nga KQZ, kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë do të vazhdojë të jetë në thelb të padisë së socialistëve.

mit/NOA

KOMENTE