Tiranë, 6 korrik 2011, NOA Update – Pak minuta pas nisjes së seancës, Kolegji Zgjedhor shtyu për në orën 10.45 minuta shqyrtimin e kërkesë-padisë së Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi dhe rrëzimin e vendimit të KQZ-së që shpalli fitues me 93 vota kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Në nisje të seancës relatori i çështjes gjyqtari Astrit Kalaja lexoi padinë e PS-së.
Kalaja lexoi edhe kërkesën e Partisë Demokratike, që kërkon që dy kërkesat e opozitës për procesin të përmblidhen në një padi të vetme.
Pikërisht për këtë përfaqësuesit e opozitës kërkuan pak minuta kohë për shqyrtimin e dy kërkesave të PD-së.
Reelatori i çështjes Astrit Kalaja vendosi ta shtyjë mbledhjen për në orën 10.45.
Nga sa duket mbledhja e Kolegjit Zgjedhor pritet të jetë një mbledhje maratonë.
Gjatë seancës do të dëgjohen argumentet e palës paditëse, dhe argumentet e PD-së, por edhe të KQZ-së, palës së paditur.
Vendimi i Kolegjit për rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë pritet të zgjasë edhe duke marrë në referencë faktin se PS ka paraqitur përveç fakteve shkresore këtë herë edhe prova filmike që faktojnë sipas saj kërkesë-padinë për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 QV në Tiranë.
mit/NOA