English

Minatorët e Bulqizës në protestë, Nikolli: Qeveria të largojë kompaninë ACR

Bulqizë, 6 korrik 2011, NOA – Kur protesta e minatorëve të Bulqizës për plotësimin e kërkesave jetike të tyre nga kompania koncesionare austriake ACR ka mbërritur në ditën e tretë, Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikolli i ka bërë thirrje shtetit që të marrë masa ndaj kompanisë ACR deri në largimin e saj.

Nikolli duke folur përpara 700 minatorëve të Bulqizës dhe metalurgëve të Elbasanit që i janë bashkuar protestës në qendër të Bulqizës, deklaroi se “Kompania koncesionare ACR nuk është një kompani serioze, por ajo është thjesht një firmë tregtare, që shet dhe blen aksione”.

Kreu i Konfederatës e argumentoi apelin e tij me faktin se kompania ACR nuk ka kryer asnjë investim prej dhjetë vitesh qëkur e mori me koncesion minierën e Bulqizës.

Afro 700 minatorët e Bulqizës, të përkrahur edhe nga metalurgët e Burrelit dhe ata të Elbasanit, prej dy ditësh u tubuan pranë mjediseve të Kompanisë ACR në Bulqizë. Minatorët protestojnë ndaj Kompanisë Koncesionare austriake ACR, pasi të rrezikuar dita ditës për jetën, kërkojnë së pari përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave me 20 përqind, heqjen e taksës së dyfishtë, uljen e moshës së pensionit, përcaktimin e një date për hapjen e pusit të thellësisë, që do të hapte fronte të reja pune.

700 minatorët kërcënojnë se do të hidhen në grevë urie në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre jetike.

Ata thanë se kompania ACR nuk ka plotësuar investimet e premtuara që në vitin 2008, pas një greve urie 17 ditore të minatorëve të Bulqizës.

Sipas tyre në rast se nuk hapen fronte të reja pune, brenda vitit, 650 minatorë të kësaj kompanie pritet të dalin në rrugë.

Minatorët kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për zgjidhjen e situatës, por ende nuk ka asnjë prononcim për çështjen.

Administratori i minierës së Bulqizës e ka konsideruar të paligjshme protestën e minatorëve të Bulqizës.

mit/NOA

KOMENTE