English

Mini-samiti i vendeve të Ballkanit, në Ohër më 12 korrik

Shkup, 6 korrik 2011, NOA- Presidenti Maqedonas Gjorgje Ivanov ka thënë se Mini-samiti i vendeve të Ballkanit, do të mbahet në Ohër më 12 korrik dhe se nga ky takim pritet të dilet me një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës do të shprehet rëndësia e lidhjes infrastrukturore në rajon.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, më 11 dhe 12 korrikOhër, do të jetë përfaqësues apo mikpritës i takimit të tretë rajonal të presidentëve, në të cilët do të marrin pjesë presidentët e Shqipërisë, Bamir Topi, i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe i Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim kanë të bëjnë me procesin eurointegrues dhe euroatlantik të rajonit, reformat e domosdoshme të cilat duhet të realizohen për ti lehtësuar këto procese si : përforcimin e proceseve demokratike dhe reformuese, rritjen e bashkëpunimit rajonal, investimet rajonale, lidhjet infrastrukturore në rajon, etj.

Ky takim, i njohur ndryshe si mini-samit i vendeve të Ballkanit, është mbajtur për herë të parë në Vlorë më 2009, vitin e kaluar është mbajtur në Prizren, ndërsa tani ai do të mbahet në Ohër.

Ivanov ka thënë se nga ky takim pritet të dilet me një deklaratë të përbashkët, me anë të të cilës do të shprehet rëndësia e lidhjes infrastrukturore në rajon.

Në mini-samitin e Ohrit nuk marrin pjesë presidenti i Serbisë dhe ai i Greqisë.

(INA)/NOA

KOMENTE