Tiranë, 6 korrik 2011, NOA – Kolegji Zgjedhor pritet të japë sot verdiktin për kërkesë-padinë e socialistëve për pavlefshmëri të zgjedhjeve vendore në 284 qendra votimi në Tiranë, e cila do të përcaktojë edhe fatin e zgjedhjeve të 8 majit në kryeqytet.
Kolegji Zgjedhor në mbledhjen, që do të nisë në orën 10.00 dhe që pritet të jetë një mbledhje maratonë do të shqyrtojë ankesë-padinë e Partisë Socialiste ndaj vendimit me nr. 1158 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli fitues të garës në Tiranë, me 93 vota më shumë, kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Ky vendim doli pas hapjes së 1793 kutive të 368 qendrave të votimit në kryeqytet dhe numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara e kqyrjes së fletëve të votimit të pavlefshme, bazuar në urdhrin e lëshuar nga Kolegji Zgjedhor në 13 qershor.
Partia Socialiste e ankimoi në 30 qershor këtë vendim të KQZ-së, duke kërkuar shprehimisht, pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë për 284 qendra votimi dhe ripërsëritjen e tyre, si dhe hedhjen poshtë të vendimit të KQZ-së, që në tabelën përmbledhëse të Tiranës, shpalli Lulzim Bashën fitues me 93 vota më shumë se Edi Rama.
Në kërkesë-padinë e katërt të Partisë Socialiste e dorëzuar në 30 qershor në Kolegj paraqiten të gjitha provat e mbledhura, faktojnë cënimin e integritetit të procesit zgjedhor, integritetit të kutive të votimit, si dhe prova filmike të fakteve.
Socialistët e argumentojnë kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve me kutitë e dëmtuara të votimit, mosrakordimin e shifrave të fletëve të votimit të gjetura e të numëruara me numrin e votuesve nëpër qendrat përkatëse, si edhe mungesën e kodit të pestë të sigurisë, që mbyll pjesën ku futet fleta e votimit.
Relator i çështjes do të jetë gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa anëtarë të trupit gjykues, Sashenka Jonuzi, Marije Qirjazi, Dhurata Haveri.
Në rast se Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimimin e PS-së, atëherë rrjedhimisht kandidati demokrat Lulzim Basha i shpallur fitues me 93 vota mbetet fituesi i zgjedhjeve në Tiranë, dhe do të mandatohet në krye të bashkisë së Tiranës për katër vitet e ardhshme.
Por, në rast se Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi, atëherë do të ripërsëriten zgjedhjet në Tiranë, duke e kthyer kryeqytetin në fushë-betejën elektorale për postin e kryetarit të bashkisë, që me gjasë do të duhej të mbaheshin në shtator.
mit/NOA