Hungari, 6 korrik 2011 NOA- Kryeministri i Hungarisë, vendi i të cilit kishte kryesimin e radhës të BE-së në 6 muajt e parë të këtij viti, Viktor Orban, u ka dërguar një memorandum liderëve të vendeve tjera të Bashkimit Evropian, me të cilin kërkon një riangazhim më të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbështet nisjen e dialogut për liberalizim të vizave me Kosovën.
Duke iu referuar ngërçit politik në vend, Orban ka theksuar se debatet politike në Shqipëri nuk e kanë rrezikuar funksionimin e demokracisë në vend prandaj asaj duhet t`i jepet mundësia që brenda këtij vitit të marrë statusin e vendin kandidat për në BE.
Ndërsa, sa i takon Kosovës Orban nënvizon në memorandum: “Nuk mund të mbeten vrima të zeza në hartën e Evropës dhe për këtë kemi nevojë të forcojmë perspektivën evropiane të Kosovës. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo është posaçërisht e vështirë për arsyen se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Por, ne mund të bëjmë progres në fushën, siç është adoptimi i një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.” “Ne besojmë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët në një afat të shkurtër, por edhe të ndihmojë në realizimin e qëllimit të bashkëpunimit afatgjatë. Suksesi i këtij procesi bart më vete edhe rëndësinë për stabilitetin afatgjatë në tërë rajonin”,thuhet në memorandumin që kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u ka dërguar liderëve të vendeve të BE-së. Orban është angazhuar në memorandumin e tij që para fundit të këtij viti të vendoset për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi, gjithashtu të bëhet një gjë e tillë edhe me Maqedoninë. Për Serbinë, Orban ka thënë se ky shtet është kyç në rajon dhe se pas arrestimit të Mlladiqit tash BE-ja do të duhej të jepte statusin e kandidatit Serbisë, por menjëherë të vendosë edhe për vendimin për nisjen e negociatave. Orban ka shprehur shqetësim për situatën në Bosnjë Hercegovinë, por ka propozuar që bashkësia ndërkombëtare të tërhiqet më shumë në aspektin politik dhe t’u lërë më shumë përgjegjësi liderëve vendorë.
a.q/NOA/ Evropa e lire