English

Protestat, Llukashenko urdhëron arrestimin e të rinjve dhe gazetarëve

Minks, 6 korrik 2011 NOA – Të paktën 140 persona janë dënuar me periudha të shkurtra me burg, ose janë gjobitur për pjesëmarrje në protestat anti-qeveri në Bjellorusi.

Grupi për të drejta të njeriut, me seli në kryeqytetin Minsk, Vjasna, dhe organizatat e tjera rajonale thanë se afro 100 vetë janë dënuar në kryeqytet dhe 40 të tjerë në qytetet Brest, Homel dhe Mahileu. Dënimet janë me burgim në kohëzgjatje prej dy e deri në 15 ditë, ndërsa ata që i shpëtuan burgut, u dënuan deri në 200 dollarë amerikanë. Dënimet u bënë pasi afro 400 vetë ishin arrestuar të dielën, derisa qytetarët kishin dalë në rrugë për ta shprehur pakënaqësinë e tyre me politikat e presidentit autoritar, Aleksander Llukashenka. Pakënaqësinë e tyre e kishin shprehur me duartrokitje. Sipas televizionit shtetëror të Bjellorusisë, shumica e protestuesve ballafaqohen me akuza për mosrespektim të rendit publik dhe pjesëmarrje në demonstrata të palejuara. Disa gazetarë bashkëpunëtorë të këtij shërbimi, po ashtu, janë arrestuar nga policia speciale derisa raportonin, përfshirë edhe gazetaren, fotoaparati i së cilës u thye gjatë përleshjes me policinë. Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kërkoi që Bjellorusia ta ndalë goditjen kundër rivalëve të presidentit Aleksander Llukashenka. I cilësuar si “diktatori i fundit në Evropë”, presidenti Llukashenka e ka sunduar këtë ish-republikë sovjetike me dorë të hekurt për 17 vjet. Ai ishte rizgjedhur në dhjetor të vitit të kaluar, në zgjedhjet që patën shkaktuar protesta masive.

a.q/NOA

KOMENTE