English

Rebelët e euros - Padi e kritikëve të ombrellës së BE për shpëtimin e monedhës së përbashkët

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në 05 korrik ankesat kundër ombrellës së shpëtimit të euros. Ankesa vjen nga kritikë të euros me në krye profesorin Joachim Starbatty. Nëse ankesa ka sukses mund të pritet një tërmet në eurozonë.

Daphne Gratwohl

Ata i quajnë rebelët e euros. Kjo pasi shkencëtari në fushën e ekonomisë Joachim Starbatty qysh në vitet 1990 është ankuar kundër hedhjes së euros në qarkullim - dhe ka humbur. Tani ai dhe përkrahësit e tij janë ankuar pranë Gjykatës Kushtetuese në Karlsruhe kundër ombrellës së shpëtimit të euros. Të martën (5.7.)zhvillohet seanca e dëgjimit. Në këtë seancë do të shqyrtohen edhe ankesa të tjera kundër ombrellës së shpëtimit. Cilat janë argumentat e Joachim Starbatty dhe çfarë pret ai nga ky proces?

Ai nuk është rebel, por një luftëtar për drejtësi dhe rend, për respektimin e Marrëveshjeve të BE-së dhe të kushtetutës gjermane, thotë profesor Joachim Starbatty. E kjo do të htotë, që pasuria e qytetarëve duhet të ruhet, veçanërisht pasuria në para. Por tani kjo është në rrezik thotë Starbatty. "Banka Qendrore Evropiane ka ndjekur një politikë, e cila është jashtëzakonisht e rrezikshme. Sepse nëse ajo blen bonot e thesarit të shteteve të rënuara financiarisht, atëherë ajo e shndërron në monedha borxhin shtetëror. Pra ajo financon borxhet e shtetit, prodhon para të reja, për të për të financuar borxhet e shtetit. Afatgjatë kjo çon në inflacion e kësisoj në zhvleftësimin e pasurisë në para."

Shkelje e ligjit themelor dhe e së drejtës së BE-së?

Gjithashtu ombrella e shpëtimit, që ka krijuar BE-ja për shtetet si Greqia, është kundër së drejtës buxhetore të parlamentit gjerman. Në fakt parlamenti gjerman (Bundestag) duhet të pyetet për çdo pagesë, parashtrojnë Starbatty dhe përkrahësit e tij në ankesën e paraqitur pranë Gjykatës Kushtetuese. Bashkë me Starbatty janë ankuar edhe ekonomistët Wilhelm Hankel dhe Wilhelm Nölling, si dhe juristi Karl Albrecht Schachtschneider dhe ish-kryetari i kryesisë së koncernit Thyssen Dieter Spethmann.

Një argument tjetër është shkelja ndaj së ashtuquajturës klauzola e no-bail-out. Në marrëveshjen për mënyrën e punës së BE-së është përcaktuar, që unioni nuk duhet të mbajë përgjegjësi për detyrimet e vendeve të veçanta. E megjithatë politikanët, edhe ministri gjerman i Financave krisitiandemokrati Wolfgang Schäuble, tërheqin vëmendjen, se Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së nuk mbajnë detyrimisht përgjegjësi për borxhet, por ato veprojnë vullnetarisht. Një argumentim ky, që Starbatty nuk do ta pranojë: "Dhe tani z. Schäuble, nëse e bën këtë vullnetarisht, atëherë lejohesh ta bësh. Pra nëse z. Schäuble vullnetarisht do të verë në dispozicion paratë e veta, atëherë ai lejohet ta bëjë këtë. Por ai përdor paratë e taksapaguesve, dhe për këtë ai duhet të pyesë fillimisht ata që i paguajnë taksat, nëse mundet ai të veprojë lirisht me paratë e tyre. Këtë duhet ta mendojë mirë z. Schäuble si ministër i Financave, që fillimisht është i detyruar kundrejt taksapaguesve gjermanë."

Kthimi i dhrahmisë në Greqi?

Joachim Starbatty mendon, se Gjykata Kushtetuese do të konstatojë shkelje të së drejtës buxhetore të parlamentit. Por ai shpreson edhe më shumë: "Nëse gjykata do të thotë, që gjithçka që është bërë tani nuk është e drejtë, Greqia do të duhet të dalë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), e paskëtaj duhet të bëhet ristrukturimi i borxhit. Kësaj nuk mund t' i shmangesh. Sepse kjo që kemi tani nuk është zgjidhja e problemeve. Të vazhdosh t' i japës para Greqisë, në mënyrë që ajo të mund të marë kredi, kjo s' do të thotë gjë tjetër veçse ta zhysësh Greqinë gjithnjë e më shumë në kurthin e borxheve. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një "bail-out" për bankat, pa e shpëtuar vërtetë sistemin monetar evropian. "

Starbatty nuk ka frikë nga një efekt domino, që mund të rrezikojë për daljen nga grupi i euros edhe vende të tjera, gjë që i trëmben përkrahësit e ombrellës së shpëtimit. Ai nuk argumenton duke iu referuar vetëm vendeve të dobëta ekonomikisht. Përjashtimi i këtyre vendeve nga eurozona do të ishte në fakt një fund me tmerr, por gjithçka tjetër do të ishte një tmerr pa fund, beson Starbatty. Vetëm një ristrukturim i borxhit, prej të cilit kredituesit duhet të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre mbi bazën e kuotave të negociuara të borxhit, mund t' i ndihmojë vendet si Greqia ta rimarrë veten, beson ekonomisti.

Kthimi i markës gjermane në Gjermani?

Por bankat dhe politikanët e BE-së i referohen avantazheve të një monedhe të përbashkët: Kthimi tek monedhat e mëparshme do ta dëmtonte Gjermaninë si vend eksporti, sepse produktet e saj do të shtrenjtoheshin. Por Starbatty e hedh poshtë këtë: "E kundërta është e drejtë: Natyrisht gjermanët do të përfitonin prej vlerësimit të monedhës, sepse qoftë euro apo marka gjermane, në varësi se çfarë do të vijë, do të kishin shumë më tepër vlerë në botë. Ne nuk eksportojmë banane, prej nga edhe rritja me një përqindje fare të vogël i detyron kërkuesit që të kërkojnë banane të reja. Ne shesim produkte të teknologjisë së lartë, për të cilat bota ka nevojë, nëqoftëse do të zhvillohet. Këto produkte ju mund t'i blini vetëm në fare pak shtete, e në fakt ju mund t' i blini ato vetëm tek ne. Ndaj unë nuk e kuptoj tani, përse industria bën kaq shumë teatër."

Ai beson, se gjykata do të japë një gjykim korrekt në frymën e qytetarëve. Vendimi pritet në vjeshtë.

DW/NOA

KOMENTE