Lezhë, 6 korrik 2011 NOA – Braktisja e të fejuarit, ishte motivi që detyroi një djalë dhe dy shokë të tij që të rrëmbejnë e të mbajnë peng nën kërcënimin e armës, vajzën dhe pjesëtarët e tjerë të familjes ku ajo jetonte, në ngjarjen e nisur dje dhe që përfundoi sot në mëngjes.
Burime policore i thanë agjencisë NOA se Ndoc Gjoka 29 vjeç, Vladimir Gjoka, 23 vjeç dhe Petrit Brunga, 24 vjeç janë vënë në pranga për ngjarjen që hetohet të ketë lidhje me largimin nga shtëpia të vajzës së familjes së autorëve. Hetimi zbardhi se vajza ka lënë të fejuarin që i ka dhënë familja dhe është vendosur në shtëpinë e djalit që donte, pjesëtarët e të cilit në shenjë hakmarrjeje u morën peng për disa orë. ndaj Ndoci, Vladimiri dhe Petriti, dje në mbrëmje hynë në banesën e shtetasit me iniciale L.P, në fshatin Shëngjergj, të Komunës Kaçinar, dhe nën kërcënimin e armës se gjuetisë, kanosën pjesëtarët e familjes, i futën të gjithë në automjetin e tyre dhe u nisën për në drejtim të Lezhës. Nga informacionet e marra në rrugë operative, strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarku Lezhë në bashkëpunim me ato të Komisariatit Mirditë bënë të mundur përcaktimin e vendndodhjes së autorëve, si dhe të itinerarit të lëvizjes së tyre, çka ka çuar në kapjen dhe arrestimin në flagrancë të këtyre shtetasve, në fshatin Kalur të rrethit Lezhë.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë konfirmoi për agjencinë NOA se sot në orën 05.00 të mëngjesit u bë arrestimi në flagrancë i Ndoc Gjoka, 29 vjeç, me banim në Ishull – Lezhë, Komuna Shëngjin të rrethit Lezhë, Vladimir Gjoka, 23 vjeç, me banim në Ishull – Lezhë, Komuna Shëngjin të rrethit Lezhë dhe Petrit Brunga, 24 vjeç, me banim në fshatin Krajen, komuna Blinisht të rrethit Lezhë.
Familja e marrë peng është çliruar dhe janë rikthyer në banesën e tyre pas një gjendjeje shoku disaorëshe që përjetuan.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan një automjet tip “Tojota” me ngjyrë gri me targa LE-65-89-A në pronësi të të arrestuarit, Ndoc Gjoka si dhe një armë gjuetie e prodhimit rus.
Materialet në ngarkim të shtetasve të arrestuar, po i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për kryerjen e veprave penale të “Kanosjes”, “Heqjes se paligjshme të lirisë” “Dhunimit te banesës”, “Mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, e kryer në bashkëpunim.
a.b/NOA