English

Shkundja e premtimeve

Ky moment i së vërtetës së brendshme nuk i zgjat shumë qeveritarit. Madje, i zgjat aq shkurtimisht saqë ka mundësi që askush tjetër s’e ka vërejtur atë përveç vetë atij. Ngjashëm sikur ai çasti i vetmisë së madhe gjatë një valleje në ndonjë dasmë, atëherë kur të shurdhohen plotësisht veshët, nuk e dëgjon fare muzikën, gjersa rreth e rrotull ke harenë absurde të valltarëve të tjerë dhe lëvizjet e tyre qesharake

Nga Albin Kurti

Politikanët e qeverisë të cilët rregullisht nuk u janë përmbajtur premtimeve të tyre presin që ne të kemi pritje modeste për ta. Ata e dinë që kanë gënjyer; ne e dimë që kanë gënjyer; ata e dinë që ne e dimë që ata kanë gënjyer; dhe, ne e dimë që ata e dinë që kanë gënjyer.

Ky inflacion i së vërtetës për gënjeshtrën po bëhet më shumë shans për gënjeshtrën sesa për të vërtetën. Gënjeshtrat po e vazhdojnë shtegtimin e tyre dhe të vërtetat vetëm sa po i ndjekin nga pas pa arritur që t’i ndalin ato. E vërteta në Kosovë është veçse e vërteta për gënjeshtrën më të re.

Qeveritarët kosovarë premtojnë jo pse besojnë që qytetarët do t’iu besojnë atyre por pikërisht pse e dinë që tashmë qytetarët nuk iu besojnë atyre. Lehtësia e premtimit politik në Kosovë nuk buron nga aftësia e qeveritarëve apo nga kredibiliteti i tyre, por nga ndarja e premtimit prej zotimit që premtimi duhet ta nënkuptojë. Kësisoj, premtiminis jetën e vet pa gravitet gjëkundi dhe degradohet në gjest politik përbrenda lojës politike.

Premtimi i këtillë nuk matet e krahasohet me (mos)përmbushjen e tij brenda një afati të caktuar. Një premtim në Kosovë krahasohet e matet veçse me një premtim tjetër, ose me disa premtime të tjera, gjithnjë në kuadër të garës së premtimeve të shkëputura nga zotimi si thelb i tyre. Premtimi e ka humbur karakterin referencial (në botën reale) për ta fituar karakterin diferencial (në një botë paralele). Premtimi nuk është më marrëdhënie ndërmjet njerëzve, sepse ai nuk mbijeton më përballë njerëzve por bashkëjeton me premtimet e tjera. Thjesht, tjetri i premtimit është premtimi tjetër i thjeshtë.

Këto premtime nuk mund t’i zhveshësh në thelbin e tyre sepse ato janëtë pathelb. Teksa e shpalos premtimin nëpër gjeologjinë e tij do të mund të gjesh gjithçka përpos bërthamës së tij. Krejt çfarë mund të merret nga premtimi është vetë premtimi – s’ka asgjë përtej asaj që duket. Premtimi nuk i përket rrafshit etik por sferës estetike. Ai gjykohet për formën e stilin e tij, jo për përmbajtjen dhe arsyeshmërinë e tij. Dhe, secili premtim në Kosovë paradoksalisht arrin të vlerësohet pikërisht pse premtimi si i tillë është kategori e zhvlerësuar. Pasi ta kesh konsideruar premtimin në parim doemos do të provosh t’iu marrësh erë luleve të tij, apo jo?

Kur qeveritarët ose njerëzit e tjerë të regjimit i bëjnë thirrje opozitës në Kosovë që të japë ide e zgjidhje praktike, propozime dhe oferta konkrete, në fakt, ata e ftojnë opozitën që edhe ajo të bëjë premtime sikurse qeveria. Kërkesat e qeverisë për ofertat e opozitës janë thirrje e qeverisë që edhe opozita të bashkohet në vallën e premtimeve. Ata refuzojnë ta kuptojnë që para se të na e premtojnë pjesëmarrjen në këtë valle, problemi është te vetë vallja e premtimeve. Ata i frikëson mendimi që mund të ketë realitet jashtë valles së tyre prej nga shihet vallja në virtualitetin e saj.

E, megjithatë, ndoshta nuk është krejtësisht kështu në kuptimin që nuk është tërë kohën kështu. Mbase në momentet traumatike të vetëdijësimit për falsitetin e vetes së tyre, kërkesa e qeveritarëve për ofertat e opozitës bëhet e vërtetë! Të mbërthyer në shkretëtirën e ofertave dhe ideve të tyre, kërkesa e qeveritarëve për ofertat e opozitës nis e bëhet e sinqertë. Në këtë pikë, gënjeshtrat e pabesueshme zëvendësohen me të vërtetën po aq të pabesueshme. Qeveria kërkon ide mu pse nuk i ka ato. Ajo e ka të qartë që shitja e pasurive publike e kombëtare të Kosovës nuk është ide por mungesë e çfarëdo ideje mbi atë se çka duhet bërë me pasuritë e Kosovës dhe si të mobilizohen ato për zhvillim ekonomik. Dhe, ajo e ka kuptuar që bisedimet me Serbinë për çështjetë brendshme të Kosovës së pavarur nuk janë ide por mungesë e çfarëdo ideje mbi atë se çka duhet bërë me pavarësinë e Kosovës dhe si të përdoret ajo për ta bërë Kosovën sovrane e demokratike. Pra, jo (vetëm)ajo që nuk e bën qeveria (më parë për shkak të mungesës së vullnetit sesa të ideve), por sidomos ajo që e bën qeveria shpreh mungesën e ideve.

Ky moment i së vërtetës së brendshme nuk i zgjat shumë qeveritarit. Madje, i zgjat aq shkurtimisht saqë ka mundësi që askush tjetër s’e ka vërejtur atë përveç vetë atij. Ngjashëm sikur ai çasti i vetmisë së madhe gjatë një valleje në ndonjë dasmë, atëherë kur të shurdhohen plotësisht veshët, nuk e dëgjon fare muzikën, gjersa rreth e rrotull ke harenë absurde të valltarëve të tjerë dhe lëvizjet e tyre qesharake. Sakaq, ata që i ke më së afërmi në valle e që t’i mbajnë duart lart, të shkundin ca më fort, të nxjerrin nga hutia përndritëse, dhe vijon avazi i vjetëri valles marramendëse. Muzika kthehet, rimerret ritmi, veshët çlirohen, paçka se nga zhurma tash dëgjon shumë më pak…

KOMENTE