English

Dita e 4-t e protestës, minatorët e Bulqizës takim me përfaqësues të METE

Bulqizë, 7 korrik 2011, NOA – Pas mosarritjes së asnjë marrëveshjeje me kompaninë koncesionare austriake ACR, të 700 minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e katërt të protestës.

Pas tri ditësh protestë, sot minatorët e minierave të kromit pritet që të takohen me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë.

Dje minatorët kontaktuan me drejtues të kompanisë ACR, duke i kërkuar nënshkrimin e një marrëveshjeje për plotësimin e kërkesave të tyre jetike, një kontratë kjo, që nuk mori pëlqimin e kompanisë koncesionare.

Minatorët e Bulqizës, kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave me 20 përqind, heqjen e taksës së dyfishtë, uljen e moshës së pensionit, përcaktimin e një date për hapjen e pusit të thellësisë, që do të hapte fronte të reja pune si dhe largimin e subjekteve të paliçencuara nga kompania.

Prej katër ditësh ata janë tubuar pranë mjediseve të kompanisë ACR në përpjekje për të realizuar kërkesat e tyre, duke mos marrë asnjë përgjigje pozitive.

Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikolli i bëri thirrje qeverisë të marrë masa ndaj kompanisë ACR, deri në largimin e saj.

Nikolli deklaroi se kompania koncesionare ACR nuk është një kompani serioze, por një firmë tregtare, që shet dhe blen aksione.

Sikundër dëshmojnë minatorët e Bulqizës kompania ACR nuk ka kryer asnjë investim prej dhjetë vitesh qëkur e mori me koncesion minierën e Bulqizës.

700 minatorët kërcënojnë se do të hidhen në grevë urie në rast se nuk plotësohen kërkesat.

Ata kanë vënë disa ditë afat për nisjen e grevës së urisë, afat që skadon të premten nëse kërkesat nuk merren parasysh.

Protesta e minatorëve të Bulqizës është përkrahur edhe nga metalurgët e Bulqizës dhe Elbasanit.

mit/NOA

KOMENTE