English

Dy vëllezër vrasin shqiptarin në Athinë e i plagosin gruan, shkak muzika

Athinë, 7 korrik 2011 NOA – Një 37 vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen në kryeqytetin grek pasi u qëllua dhunshëm me armë të ftohtë kurse gruaja e tij u plagos rëndë dhe u dërgua në spital.

Autorë të krimit janë dy vëllezër shqiptarë përkatësisht 36 dhe 39 vjeç, të cilët janë identifikuar dhe u arrestuan nga policia, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme ora 22.10 në lagjen “Virona” në Athinë. Viktimë ka mbetur një 37 vjeçar, emigrant shqiptar. I ndjeri u gjet i vdekur në banesën e tij pasi e shoqja e cila mbeti e plagosur, kërkoi ndihmën e policisë.

Policia e mbërritur në vendngjarje kreu hetimet e para dhe zbardhi se krimi ishte kryer nga dy vëllezër shqiptarë, fqinjë me të ndjerin, në kryqëzimin e rrugëve “Hrisafi” dhe “Madhitu” (shihni foton e vendngjarjes).

Hetimi nxori sot se vrasja erdhi pas një sherri të çastit mes viktimës dhe dy shqiptarëve të tjerë. Këta të fundit, ishin irrituar nga fakti se viktima i tyre kishte ngritur zërin e muzikës që po dëgjonte.

Dy vëllezërit i kanë shkuar në shtëpi të riut dhe i kanë bërtitur pse e kishte ngritur zërin e magnetofonit. Por me vete kishin një thikë dhe në sherr e sipër e qëlluan duke i marrë jetën.

Ata nuk u mjaftuan me vrasjen e 37 vjeçarit sepse qëlluan edhe të shoqen e tij me thikë duke e lënë të plagosur.

Më tej u larguan nga banesa ku lanë komshiun të vrarë dhe të shoqen e plagosur. Por sot, herët në mëngjes u kapën nga policia greke.

n.s/e.t/NOA

KOMENTE