English

Historia e organizatorit dhe 3 bashkëpunëtorëve që prodhonin dokumente të rreme

Korçë, 7 korrik 2011, NOA- (Update) Lidhur me arrestimet e bëra ditën e sotme në qytetin e Korçës ndaj katër personave për falsifikim dokumentesh rezulton se operacioni për kapjen e tyre është shtrirë në një periudhë 3 mujore.

Sakaq, katër të arrestuarit në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë falsifikuar pasaporta, ku Artur Feto pasi gjente shtetas të ndryshëm të cilit kishin probleme me ligjin në vendet e Evropës dhe ishin të interesuar për ndryshimin e gjeneraliteteve, ju garantonte nxjerrjen e pasaportave biometrike me të dhëna të shtetasve të tjerë por pa probleme.

Burime zyrtare nga policia e Korçës bëjnë me dije për agjencinë e lajmeve NOA, se nxjerrja e këtyre pasaportave garantohej kundrejt pagesave nga 5000-7000 euro për pasaportë dhe realizohej duke bashkëpunuar me punonjës të firmës së prodhimit të pasaportave.

Konkretisht Artur Feto pasi ju siguronte personave të interesuar dokumente të falsifikuara bashkëpunonte me Specialistin e IT-së Relis Mulla dhe operatorin e aplikimit për pajisje me pasaportë Armand Cenolli, për të bërë aplikimin dhe prodhimin e pasaportave biometrike me të dhëna të rreme, duke i paguar këta punonjës nga 2000-3000 euro për çdo pasaportë, me ndërmjetësim të shtetasit Setki Mulla i cili është edhe babai i shtetasit Relis Mulla.

Në vijim Artur Feto në rolin e organizatorit të këtij aktiviteti kriminal i ndihmonte këta shtetas për të dalë jashtë Shqipërisë sipas destinacionit të kërkuar prej tyre.

Bëhet e ditur se Artur Feto është i moshës 36 vjeçare lindur dhe banues në fshatin Fitore-Devoll, Relis Mulla është i moshës 27 vjeçare lindur dhe banues në Korçë me detyrë specialist IT-je, Armand Cenolli 21 vjeç lindur dhe banues në fshatin Vashtemi-Korçë me detyrë operator aplikimi pranë kompanisë që merrej me nxjerrjen e pasaportave dhe Setki Mulla i moshës 57 vjeçare lindur dhe banues në Korçë me detyrë Pedagog në Universitetin e Korçës.

Ndaj të katër personave Gjykata e Korçës dhe masën e sigurisë “Arrest me burg”, pasi si prova rënduese ndja tyre u gjetën dhe sekuestruan 5 praktika aplikimi për pajisje me pasaporta biometrike, 3 automjete të markës Mercedes Benz, 12 aparate telefoni celular, 5 karat sim, 2 USB, 1 kartë memorie, 1 pasaportë, 6 fotografi të shtetasve të ndryshëm.

Ndërkaq lidhur me këta të ndaluar kanë nisur hetimet për veprat penale, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

a.y/NOA

KOMENTE