Tiranë, 7 korrik 2011, NOA- Lidhur me ligjin për regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë, vetëm pak para miratimit të tij në Parlament kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi u shpreh se, në hartimin e këtij projektligji duhet të ishin përfshirë edhe grupet e interesit.
“Procesi në fjalë duhet të kishte përfshirjen e grupeve të interesit, dhe do të duhej të merrte më seriozisht vërejtjet e bëra nga intelektualë apo figura të rëndësishme të jetës publike në vend. Thënë këtë, duhet të nënvizoj se dhe ndonjë grup interesi që duhet vlerësuar për iniciativën për t’u përfshirë në këtë proces, mund ta kishte bërë më transparent qëndrimin e vet, domethënë ne do duhej ta dinim prej kohësh pozicionin e tij në lidhje me këtë ligj”, u shpreh Idrizi.
Sipas tij, rezultati i censusit, sado me natyrë statistikore të jetë, sado të nënvlerësohet prej propozuesit të këtij ligji, do të prodhonte implikime ndërkombëtare, duke shtuar se projektligji do duhej ta sqaronte konceptin e vetëdeklarimit.
Idrizi kërkoi që ligji të miratohej me amendamentet që u paraqitën nga PDIU, duke kërkuar transparencë të procesit në hallkën tjetër të tij- puna e Komisionit Qendror të Regjistrimit.
Sakaq shtoi duhet bërë se miratimi i një ligji tjetër që përcakton se ç’është “përkatësia etnike”, apo kombësia, apo etnia.
Idrizi tha se, “Në Kushtetutë në ligjin për kombësinë. në paragrafin e dytë citohet për shprehjen e lirë të identitetit të tij kombëtar. Me shpjegimin e këtij koncepti hyra tek vërejtjet, domethënë, jo subjektivitetit arbitratitetit të dikujt që për interesa të caktuara shprehet se i përket etnitetit të dikujt”.
Në emër të PDIU ai tërhoqi vëmendjen e nevojës për një proces të drejtë dhe transparent.
Miratimi i këtij ligji u bë së bashku me amendamentet e PDIU, por ky ligj u abstenua nga dy deputetët e kësaj partie, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, duke marrë vetëm votat e maxhorancës qeverisëse.
Amendamentet e propozuara nga PDIU
Amendamentet e propozuara për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8669, datë 26.10.2000 “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, të ndryshuar” (më poshtë projektligji) kanë për qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon zhvillimin e regjistrimit të popullsisë, që zhvillohet në bazë të ligjit “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, të ndryshuar” (më poshtë ligji), si dhe shmangien e mundësive të abuzimit me këtë regjistrim.
Amendamenti i parë kërkon riformulimin e nenit 4 të projektligjit, i cili ndryshon nenin 4 të ligjit.
Ligji në fuqi në nenin 4 përcakton detyrimin për t’u përgjigjur, duke e përkufizuar:
“Të gjithë shtetasit, shqiptarë dhe të huaj, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në çastin e regjistrimit ndodhen brenda territorit të Republikës, janë të detyruar të japin saktësisht të dhënat e kërkuara për regjistrimin, për vete dhe për të afërmit e tyre.”
Projektligji i paraqitur nga Këshilli i Ministrave ndryshon këtë nen, duke riformuluar tekstin si më poshtë:
“Të gjithë personat, me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin informacionin të përcaktuar si të detyrueshëm në pyetёsorët e censusit të popullsisë dhe tё banesave të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit, në përputhje me shkronjёn “e” tё nenit 12, tё këtij ligji:
a) në mënyrë të plotë;
b) në mënyrë të saktë dhe të besueshme.”
Riformulimi i tekstit sjell dy veçori, së pari shton në kategorinë e personave që janë të detyruar për t’u përgjigjur edhe personat pa shtetësi, si edhe e kufizon këtë detyrim vetëm për pyetjet që janë të përcaktuara si të detyrueshme në pyetësorët e censusit, sipas formulimit se personat në fjalë “janë të detyruar të japin informacionin të përcaktuar si të detyrueshëm në pyetёsorët e censusit të popullsisë”.
Në këndvështrimin e propozuesve të amendamenteve, pjesa e parë e riformulimit të nenit, në lidhje me shtimin e personave pa shtetësi në kategorinë e personave që janë të detyruar për t’u përgjigjur, qëndron.
Pjesa e dytë e riformulimit, që kufizon detyrimin për t’u përgjigjur “në mënyrë të plotë” dhe “në mënyrë të saktë dhe të besueshme” vetëm te pyetjet e përcaktuara “si të detyruara” nuk qëndron. Pavarësisht nëse pyetjet janë të detyrueshme, apo fakultative, detyrimi për t’u përgjigjur përbën një parim thelbësor të censusit të popullsisë dhe të frymës së ligjit në fuqi, sikurse dhe të projektligjit. Është pikërisht kjo arsye, pse pyetjet fakultative, kanë si mundësi përgjigjeje “nuk preferoj të përgjigjem”. Nëse pyetjet fakultative nuk do të ishin pjesë e dispozitës së detyrimit të përgjigjes, atëherë mundësia e përgjigjes “nuk preferoj të përgjigjem” do të ishte non-sens. Detyrimi për t’u përgjigjur nuk qëndron në faktin se cila është përgjigja e dhënë nga personi i pyetur, e cila mund të jetë edhe “nuk preferoj të përgjigjem”, por në faktin se ai e ka shprehur mendimin, besimin, përshtypjen apo faktin për të cilin pyetet.
Për më tepër, në rastin se pyetja fakultative, i kërkon individit një fakt objektiv, dhe jo një mendim, përshtypje apo besim, ky fakt objektiv duhet të jetë i shprehur “në mënyrë të plotë” dhe “në mënyrë të saktë dhe të besueshme”, në mënyrë që statistikat që do të prodhohen të jenë të besueshme. Formulimi i projektligjit bie ndesh me nenin 1 të ligjit, që përbën edhe “Qëllimin e regjistrimit”, që përcakton se regjistrimi synon të ofrojë “të dhëna të besueshme statistikore”.
Gjithashtu, mosdhënia e një përgjigjeje nga ana e të pyeturit dhe lënia bosh e pyetjeve fakultative të pyetësorit, krijon mundësinë e abuzimit me përgjigjen e tij nga personat që marrin pjesë në proces. Mungesa e një përgjigjeje të shprehur nga personi i pyetur, qoftë duke iu përgjigjur thelbit të pyetjes, apo duke iu përgjigjur me anë të opsionit “nuk preferoj të përgjigjem”, krijon hapësirë që mbi këtë pyetje të shënohet një përgjigje që nuk respekton mendimin, vullnetin, apo faktin e të pyeturit. Kështu, detyrimi për t’iu përgjigjur pyetjes përbën një mbrojtje e sistemit të censusit.
Amendamenti i propozuar konkretisht përcakton:
“Të gjithë personat, me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin informacionin e kërkuar në pyetёsorët e censusit të popullsisë dhe tё banesave të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit, në përputhje me shkronjёn “e” tё nenit 12, tё këtij ligji:
a) në mënyrë të plotë;
b) në mënyrë të saktë dhe të besueshme.”
Ky formulim, përfshin personat pa shtetësi, si pjesë e detyrimit për t’u përgjigjur dhe nga ana tjetër adreson edhe çështjen e detyrimit për t’u përgjigjur në të gjithë pyetësorin e censusit. Me anë të formulimit se personat “janë të detyruar të japin informacionin e kërkuar” shmanget mundësia e keqkuptimit se personat janë të detyruar t’i përgjigjen thelbit të pyetjes, dhe mundësohet që ata të shënojnë mundësinë e përgjigjes “nuk preferoj të përgjigjem”. Kjo plotëson për ta detyrimin ligjor që të japin “informacionin e kërkuar” teksa vetë mundësia e mos-përgjigjes është e dhënë si opsion në formular. Përzgjedhja e mundësisë “nuk preferoj të përgjigjem” në vetvete është një përgjigje “në mënyrë të plotë” ndaj pyetjes, teksa ajo përbën një mundësi përgjigjeje dhe është “në mënyrë të saktë dhe e besueshme”, teksa ajo i përgjigjet pyetjes me një fakt subjektiv, të mundësuar paraprakisht si opsion. Në këtë mënyrë, ky formulim ruan karakterin e pyetjes si pyetje fakultative, duke adresuar edhe detyrimin e përgjigjes.
Gjithashtu, formulimi në fjalë bën personin që do të përgjigjet, që nëse nuk përzgjedh opsionin “nuk preferoj të përgjigjem”, por i adresohet thelbit të pyetjes, të detyrohet të japë një përgjigje të plotë, të saktë dhe të besueshme, për aq sa pyetja fakultative është një fakt objektiv. Kjo mundëson që statistikat e përpunuara nga censusi i popullsisë, të jenë në përputhje me “qëllimin e regjistrimit” që përbën nenin 1 të ligjit.
Amendamenti i dytë kërkon riformulimin e nenit 6 të projektligjit, i cili ndryshon nenin 8 të ligjit.
Ligji në fuqi në nenin 8 përcakton kategorizimin e të dhënave të mbledhura, si më poshtë:
“Të dhënat e mbledhura gjatë regjistrimit ndahen në dy kategori: a) Të dhënat individuale, identifikuese të personave që janë: emri atësia, mbiemri, adresa dhe identifikuesit topografikë. b) Të dhënat strukturore për karakteristikat e ndërtesave, të banesave, grupeve të personave që jetojnë së bashku, si dhe të individëve, të kërkuara për qëllime vetëm statistikore, në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare.”
Projektligji i paraqitur nga Këshilli i Ministrave ndryshon këtë nen, duke riformuluar tekstin si më poshtë:
“1. Të dhënat e mbledhura nga censusi kategorizohen në:
a) identifikuese dhe personale të individëve;
b) identifikuese dhe strukturore të ndërtesave, banesave, banesave të jetesës kolektive.
2. Të dhënat e mbledhura nga censusi do të përdoren vetëm për qëllime statistikore, në përputhje me ligjin nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, dhe me standardet e rekomandimet ndërkombëtare.
3. Të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për asnjë listë elektorale ose për pёrditёsimin e asnjë regjistri të gjendjes civile dhe të asnjë regjistri tjetër administrativ.”
Ndryshimi i këtij neni sjell këto veçori: së pari, heq nga kategoria e parë se cilat janë të dhënat identifikuese të personave dhe shton termit “të dhëna personale”, duke e zhvendosur nga kategoria e dytë, ku mbeten vetëm të dhënat e ndërtesave, banesave dhe banesave kolektive. Së dyti, shton pikën 2 dhe 3 të nenit, mbi qëllimin dhe përdorimin e të dhënave.
Pikat 2 dhe 3 të nenit janë korrekte në këndvështrimin e propozuesve të amendamentit. Ndarja në dy kategori bie ndesh me ligjin në fuqi si edhe vetë projektligjin. Në nenin 7 të projektligjit që amendon nenin 9 të ligjit, pika 5 parashikon se “INSTAT-i, pasi të ketë marrë masat e duhura për të siguruar saktësinë dhe qёndrueshmërinë e të dhënave, i bën ato anonime, pas fshirjes nga dosjet elektronike të çdo elementi identifikues, të përcaktuar në shkronjёn “a”, tё pikёs 1, tё nenit 8, tё këtij ligji.”
Mospërcaktimi i elementëve “identifikues” në “shkronjёn “a”, tё pikёs 1, tё nenit 8, tё këtij ligji” krijon boshllëk ligjor, që mund të sjellë shkeljen e nenit 9 të ligjit që ka të bëjë me “mbrojtjen e të dhënave dhe sekretin profesional”.
Sipas ligjit nr.9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, "të dhëna personale" është çdo informacion për një person fizik, i cili është i identifikuar ose i identifikueshëm. Elementet, me të cilat realizohet identifikimi i një personi, drejtpërdrejt apo tërthorazi, janë numrat e identitetit ose faktorë të tjerë të veçantë fizikë, psikologjikë, ekonomikë, socialë, kulturorë etj.”
Propozuesit e amendamentit janë të mendimit se në shërbim të ruajtjes së anonimatit dhe të mbrojtjes të të dhënave personale, është detyrim i ligjvënësit të përcaktojë se cilat janë të dhënat që nuk mund të bëhen publike nga censusi i popullsisë dhe jo e një autoriteti ekzekutiv, si Komisioni Qendror i Regjistrimit.
Detyrimi i nenit 7 të projektligjit që amendon nenin 9 të ligjit, pika 5, që INSTAT të fshijë nga dosjet elektronike çdo element identifikues të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji, detyron ligjvënësin që të përfshijë në këtë pikë, elementet identifikues.
Si pasojë, propozuesit e amendamentit janë të mendimit se shkronja “a” e nenit 8 të ligjit duhet të përmbajë vetëm dhe në mënyrë eksplicite elementët identifikues. Për këtë arsye, amendamenti ndryshon shkronjën “a”, si më poshtë:
“identifikuese individëve, të cilat janë: emri, atësia, mbiemri, adresa dhe identifikuesit topografikë;”
Të dhënat personale, të përcaktuara në kuptim të nenit 8 të ligjit, si të veçuara nga të dhënat identifikuese, duhet të jenë pjesë e një kuadri të përcaktuar ligjor. Të dhënat personale, nuk mund të mbeten për t’u përcaktuar në juridiksionin e një autoriteti ekzekutiv si INSTAT apo Komisioni Qëndror i Regjistrimit.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues i sovranit, është i detyruar që të mënjanojnë ekzistencën e mundësisë që në të dhënat e mbledhura nga censusi të përfshihen të dhëna mbi bindjet ideologjike, politike, partiake, dhe të dhëna të tjera që nuk i shërbejnë bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes shqiptarëve, si një detyrim që buron nga neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Për më tepër, legjislacioni shqiptar e ka të përcaktuar se cilët janë elementët e identitetit të shtetasve shqiptarë, nëpërmjet nenit 2, pika 4, të ligjit Nr. 10 129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, ku thuhet se:
“"Përbërës të gjendjes civile" janë të gjitha elementet e përcaktuara në këtë ligj, që shërbejnë për përcaktimin e identitetit të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj apo çdo personi pa shtetësi me banim të përkohshëm/të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.”
dhe nenit 6, pika 1, ku thuhet se “përbërësit e gjendjes civile janë: emri e mbiemri, numri i identitetit, datëlindja, vendlindja, gjinia, shtetësia, raportet e atësisë e amësisë, gjendja civile, kombësia, vdekja, shpallja i/e zhdukur, vendbanimi, vendqëndrimi dhe fakte të tjera, të parashikuara me ligj.”
Si pasojë, pas shkronjës “a” të nenit 8 të ligjit, amendamenti shton shkronjën “b”, me përmbajtje:
“personale të individëve, të cilat janë:
i. të dhëna të identitare jo më shumë se përbërësit e përcaktuar në nenin 6, pika 1, të ligjit, Nr. 10 129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”;
ii. të dhëna mbi arsimimin;
iii. të dhëna mbi gjendjen shëndetësore;
iv. të dhëna mbi emigrimin/imigrimin;
v. dhe/ose të dhëna mbi gjendjen ekonomike.”
Ky formulim, shmang çdo lloj abuzimi të mundshëm me “të dhënat personale” dhe me përdorimin e tyre nga secili prej organeve ekzekutuese që përcakton ligji.
Ndërkaq, ligji nuk parashikon mënyrën e kontrollit të zbatueshmërisë së “detyrimit për t’u përgjigjur” që përcaktohet në nenin 4 dhe për të cilin parashikohen sanksione në nenin 20. Kjo sjell jo vetëm pasigurinë e zbatueshmërisë të këtij neni, por cënon edhe “Qëllimin e regjistrimit” që përcaktohet në nenin 1, ku thuhet se censusi synon të ofrojë “të dhëna të besueshme statistikore”. Cënimi i këtij neni, në thelb cënon censusin në përgjithësi. Për këtë arsye, të dhënat e përcaktuara në shkronjën “a” dhe “b”, gërma “i”, të nenit 8 të këtij ligji duhet të ballafaqohen me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, në të cilin ekziston elementi objektiv i të gjitha elementeve përbërëse që përcaktojnë identitetit të individit, siç shpjeguam më lartë. Kjo siguron gjithashtu edhe realizimin e “të dhënave të besueshme statistikore”, që është synimi i ligjit, duke qenë se e dhëna e vetëdeklaruar përballet me faktin objektiv. Për këtë arsye amendamenti parashikon të shtojë pas pikës 3 të nenit 8 të ligjit, pikën 4 me përmbajtjen:
“Të dhënat e mbledhura identifikuese dhe personale të individëve, sipas përcaktimit të shkronjës “a” dhe “b” gërma “i” të pikes 1 të nenit nr. 8 të këtij ligji ballafaqohen me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Në rast mospërputhjeje të të dhënave të mbledhura nga censusi me përbërësit e përcaktuara në nenin 6 të ligjit Nr. 10 129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, të dhënat e Regjistrit Kombëtar për Gjendjen Civile prevalojnë dhe merren për bazë, në shërbim të nenit 1, të këtij ligji.”
Në tërësi, amendamenti i propozuar përcakton riformulimin e nenit 6 të projektligjit që ndryshon nenin 8 të ligjit me përmbajtjen e mëposhtme:
“Kategoritë e të dhënave dhe përdorimi i tyre.
1. Të dhënat e mbledhura nga censusi kategorizohen në:
a) identifikuese individëve, të cilat janë: emri, atësia, mbiemri, adresa dhe identifikuesit topografikë;
b) personale të individëve, të cilat janë:
i. të dhëna të identitare jo më shumë se përbërësit e përcaktuar në nenin 6, pika 1, të ligjit, Nr. 10 129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”;
ii. të dhëna mbi arsimimin;
iii. të dhëna mbi gjendjen shëndetësore;
iv. të dhëna mbi emigrimin/imigrimin;
v. dhe/ose të dhëna mbi gjendjen ekonomike.
c) identifikuese dhe strukturore të ndërtesave, banesave, banesave të jetesës kolektive.”
2. Të dhënat e mbledhura nga censusi do të përdoren vetëm për qëllime statistikore, në përputhje me ligjin nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, dhe me standardet e rekomandimet ndërkombëtare.
3. Të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për asnjë listë elektorale ose për pёrditёsimin e asnjë regjistri të gjendjes civile dhe të asnjë regjistri tjetër administrativ.”.
4. Të dhënat e mbledhura identifikuese dhe personale të individëve, sipas përcaktimit të shkronjës “a” dhe “b” gërma “i” të pikes 1 të nenit nr. 8 të këtij ligji ballafaqohen me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Në rast mospërputhjeje të të dhënave të mbledhura nga censusi me përbërësit e përcaktuara në nenin 6 të ligjit Nr. 10 129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, të dhënat e Regjistrit Kombëtar për Gjendjen Civile prevalojnë dhe merren për bazë, në shërbim të nenit 1, të këtij ligji.”
Amendamenti i tretë kërkon riformulimin e nenit 16 të projektligjit, i cili ndryshon nenin 20 të ligjit.
Ligji në fuqi në nenin 20 përcakton kundravajtjet, si më poshtë:
“1. Çdo shkelje e rregullave të parashikuara në nenet 4 dhe 9 përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 20 000 lekë. 2. Çdo shkelje e rregullave të parashikuara në nenin 19 përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 15 000 deri në 20 000 lekë.”
Projektligji i paraqitur nga Këshilli i Ministrave ndryshon këtë nen, duke riformuluar tekstin si më poshtë:
“Përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, përkatësisht, me gjobë shkeljet e mëposhtme:
1.Mosdhënia e informacionit në formë të plotë dhe/ose të saktë e të besueshme, të përcaktuar si tё detyrueshëm, në përputhje me pёrcaktimet e shkronjave “a” dhe “b”, tё nenit 4, të këtij ligji, nga personi/at përgjegjës dënohet me gjobë prej 100 000 (njёqind mijё) lekësh.
2. Mosrespektimi i rregullave të konfidencialitetit të përcaktuara në nenin 9, të ligjit nga personi/at përgjegjës dënohet me një gjobë prej 10 000 (dhjetё mijё) deri 50 000 (pesёdhjetё mijё) lekë:
3. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në nenin 19, të këtij ligji nga personi/at përgjegjës dënohen me gjobë nga 15 000 (pesёmbёdhjetё mijё) deri 20 000 (njёzet mijё) lekë. Amendamenti i propozuar adreson të njëjtin problem e shprehur në amendamentin e parë, mbi refuzuzimin e dhënies së informacionit, ose dhënien e informacionit të rremë, për të gjitha pyetjet, si të detyrueshme edhe fakultative, në kuptimin e mospërgjigjes të pyetjes (përfshi këtu edhe mospranimin e opsionit “preferoj të mos përgjigjem”), si edhe përgjigjes së rremë, në çastin që i pyeturi i përgjigjet thelbit të pyetjes.
Amendamenti riformulon nenin 16 të projektligjit, i cili ndryshon nenin 20 të ligjit, si më poshtë:
“Përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, përkatësisht, me gjobë shkeljet e mëposhtme:
1. Refuzimi i dhënies së informacionit dhe/ose dhënia e informacionit të rremë, në kuptim të pёrcaktimeve të shkronjave “a” dhe “b”, tё nenit 4, të këtij ligji, nga personi/at përgjegjës dënohet me gjobë prej 100 000 (njёqind mijё) lekësh.
2. Mosrespektimi i rregullave të konfidencialitetit të përcaktuara në nenin 9, të ligjit nga personi/at përgjegjës dënohet me një gjobë prej 10 000 (dhjetё mijё) deri 50 000 (pesёdhjetё mijё) lekë:
3. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në nenin 19, të këtij ligji nga personi/at përgjegjës dënohen me gjobë nga 15 000 (pesёmbёdhjetё mijё) deri 20 000 (njёzet mijё) lekë.”
a.y/NOA