English

Kolegji shqyrton padinë, PS: Urdhëroni KQZ të shqyrtojë pavlefshmërinë

Tiranë, 7 korrik 2011, NOA Update – Kolegji Zgjedhor po shqyrton në këto momente padinë e 2 korrikut të Partisë Socialiste ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në 25 qershor shpalli rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë Tiranë, ku kandidati demokrat Lulzim Basha rezultoi fitues me 92 vota më shumë se kandidati socialist Edi Rama.

Ky rezultat erdhi pas shtimit në tabelat e QV-ve të Tiranës dhe tabelën përmbledhëse të votave të hedhura në kutitë e gabuara në 1793 kutitë e hapura në tryezën e KQZ pas urdhrit të Kolegjit Zgjedhor në 13 qershor, dhe u ankimua në KQZ, i cili nuk pranoi ta shqyrtojë për kalim të afateve të ankimimit.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së Damian Gjiknuri duke lexuar argumentet e PS-së si palë paditëse deklaroi para trupit të Kolegjit me relatore Sashenka Jonuzi, se KQZ e rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste në mënyrë arbitrare.

Gjiknuri i bëri thirrje Kolegjit Zgjedhor të urdhërojë KQZ-në të marrë në shqyrtim pavlefshmërinë e vendimit të saj të datës 25 qershor, duke e argumentuar këtë rrëzim me problemet e vërejtura në tabelat e 284 qendrave të votimit, apo edhe me mospërputhjen e numrit të votuesve me fletët e votimit të gjetura apo të munguara në qendrat respektive. Gjiknuri theksoi se kërkesa e PS-së iu dorëzua KQZ-së brenda afatit ligjor të ankimimit të vendimit.

Ndërkohë përfaqësuesi tjetër ligjor i PS-së Eridian Saliani prezantoi fakte të tjera përmes një tabele.

Në krye të seancës së sotme në Kolegj, trupi i gjyqtarëve pranoi kërkesën e PD-së për të qenë palë e interesuar në padinë e opozitës.

Seanca e Kolegjit Zgjedhor vijon ende, mbledhje e cila pritet të dalë me një vendim sa i përket padisë së PS-së ndaj KQZ-së, që nënkupton se nëse Kolegji e pranon çështja rikthehet në KQZ, por nëse hidhet poshtë atëherë mbetet në fuqi vendimi që shpalli fitues të zgjedhjeve në Tiranë, Lulzim Bashën.

mit/NOA

KOMENTE