English

Kryepeshkopi Janullatos, i ftuari special në Sinodin e Kishës së Anglisë

Londër, 7 korrik, NOA – Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse shqiptare, Anastas Janullatos, është vlerësuar si i ftuari special dhe kryesor i Sinodit të Përgjithshëm i Kishës së Anglisë.

I planifikuar të mbahet në datat 8-12 korrik 2011, në Universitetin e Jorkut në Angli, ky event i madh i kishave angleze, ka parashikuar si të ftuarin e saj primar, Janullatosin, i cili është në të njëjtën kohë edhe President i Këshillit Botëror të Kishave (WCC), organizmi më i madh kishtar global i këtij lloji.

Kjo ftesë nderimi, atij i është bërë nga vetë kryepeshkopit të Kishës së Anglisë, Rowan Williams, i cili i ka kërkuar që të mbajë edhe fjalimin përkatës përpara Sinodit.

Tema e këtij të fundit mësohet se është “Duke ndarë Lajmin e Mirë dhe duke ndërtuar Kishën sot”.

Në të do të marrin pjesë të gjithë episkopët e saj dhe përfaqësues të klerikëve dhe laikëve.

Kisha Anglikane është Kisha zyrtare e Anglisë. Ajo luan një rol të rëndësishëm në mbarë jetën e vendit.

Një pjesë e episkopëve të saj janë edhe anëtarë të Dhomës së Lordëve.

Në këtë Sinod do të përfshihen diskutime të ndryshme në lidhje me rolin e Kishës Anglikane në fushën e edukimit, si dhe puna e saj në fusha të tjera jashtë kuadrit fetar dhe marrëdhëniet me Kishat e tjera.

Ndërkaq, Kryepeshkopi Anastas gëzon një vlerësim të jashtëzakonshëm në rrethet e Kishës së Anglisë, si edhe në botën e krishterë moderne, për kontributin e madh që ka dhënë në dialogun midis të gjitha konfesioneve të krishtera dhe për promovimin e dialogut ndërfetar në rang global.

n.e/NOA

KOMENTE