English

Marrëveshjet që degradojnë shtetësinë e Kosovës

Prishtinë, 7 korrik 2011 NOA - Negociatat mes Kosovës e Serbisë po shërbejnë për degradimin e shtetësisë së Kosovës dhe në vend që Kosova prej 17 shkurtit 2008 e këndej të shkonte kah kompletimi i sovranitetit, ajo po shkon kah mpakja e pavarësisë.

Kështu vlerëson Lëvizja Vetëvendosje. Në një dalje sot për mediat përfaqësuesit e saj u shprehen se me negociatat që po ndodhin Qeveria e Kosovës krejtësisht është vënë në funksion të agjendës së Serbisë për hyrje në BE si dhe për ruajtjen e pushtetit të saj brenda Kosovës përmes strukturave të paligjshme.

Sipas Vetëvendosje, negociatat me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura me të e shkelin sovranitetin e shtetit tonë ndaj Lëvizja thekson se këto marrëveshje janë krejt të njëanshme.

Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovës, kurse Kosova nëpërmjet Qeverisë jo vetëm që po e njeh Serbinë si shtet, por po e njeh atë edhe brenda Kosovës, kujton faktet Vetëvendosje.

Kurse thekson se Grupi negociator i Kosovës ka dhënë garanci se Serbisë nuk do t’i preken strukturat e saj të paligjshme në Kosovë.

Më poshtë vijojnë qëndrimet e Lëvizjes lidhur me pikat e marrëveshjes

LËVIZJA E LIRË

Në konkluzionet e Robert Coopper – it flitet për reciprocitetin sa i përket kalimit të kufirit. Ky lloj reciprociteti nuk do të sjellë kurrfarë përfitimi për Kosovën sa i përket njohjes së saj nga Serbia. Reciprociteti që nuk i vendos fillimisht Kosovën dhe Serbinë në pozita të barabarta sa i përket statusit të njëra tjetrës, vetëm sa prodhon efektet e njëjta. Pra, Serbia nuk e konsideron Kosovën shtet, prandaj edhe nuk i tregon pasaportat e saj në kufi, por edhe qytetarët e Kosovës nuk i tregojnë dokumentet e shtetësisë së tyre kur hyjnë në Serbi. Reciprociteti i tillë vetëm sa ka vërtetuar pozitën inferiore të palës së Kosovës në raport me Serbinë.

Përveç kësaj, çfarëdo marrëdhënieje në të ardhmen do duhej të kushtëzohej me njohjen e Kosovës nga Serbia.

KUFIRI ADMINISTRATIV

Në bazë të këtyre konkluzioneve qytetarët e Kosovës nuk trajtohet si qytetarë, pra shtetas të shtetit të Kosovës, por si banorë që jetojnë në Kosovë.

Edhe më problematike bëhet puna kur mësojmë se kufiri midis Kosovës dhe Serbisë, quhet herë kufi administrative (boundary), here kufi ndërshtetëror (border). Nëse ka një vend me të cilin marrëdhëniet duhet t’i kemi të definuara në mënyrë strikte, pa lënë hapësirë për interpretime apo dykuptimësi, ky vend është Serbia. Ne duhet të jemi të pavarur pike së pari kundrejt Serbisë

TARGAT

Për të lëvizur nëpër Serbi Qeveria e Kosovës e ka mohuar shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës brenda saj. Në mënyrë që të ndalet lëshimi i targave nga strukturat ilegale të Serbisë, ajo ka pranuar që brenda territorit të Kosovës të ketë dy lloje targash: RKS, që e shenjojnë Kosovën si Republikë, dhe target KS që janë lëshuar nga UNMIK – u, e që tregojnë për Kosovën, por nuk flasin për çfarësinë e saj, ajo është e padefinuar, tamam si R1244 e KS të OKB - së.

Pra kontradikta thelbësore nuk qëndron midis strukturave paralele të Serbisë dhe UNMIK – it, por midis këtyre dyjave dhe shtetit sovran të Kosovës.

PARIMI I RECIPROCITETIT

Diplomat

Kur thuhet se palët kanë rënë dakord për njohjen reciproke të diplomave, në fakt, vetëm diplomat e Universitetit të Prishtinës për tu pranuar si valide në Serbi u ndërrohet titulli i preiardhjes, duke u certifikuar nga një organizatë ndërkombëtare, ndërkaq e kundërta nuk ka objektivitet konkret. Ne e dime që Univeristeti i Prishtinës njihet ndërkombëtarisht dhe diplomat e tij nuk kanë nevojë për certifikim special.

Edhe këtu vërehet qasja mbizotëruese që e ka imponuar Serbia. Ajo dëshiron ta vazhdojë rrugën drejt BE – së pa u nënkuptuar se po heq dorë nga Kosova, e jo t’ia dëshmoj Kosovës apo BE – së së është shtet sovran. Është Kosova ajo që po i mohohet sovraniteti nga Serbia, e për shkak të Serbisë edhe nga të tjerët. Pra, ky lloj reciprociteti është joparimor, sepse është brenda lojës së Serbisë.

Regjistrat civilë

Kosova ka pranuar të marrë kopjet e librave amzë nga Serbia, duke ia lënë kështu Serbisë origjinalet e tyre.

Me këtë rast Kosova ka hequr direkt nga një dimension i sovranitetit të saj që lidhet me posedimin e dokumentacionit për qytetarët e saj.

PËRMBLEDHJE

Ajo që vërehet tek të gjitha pikat e konkluzave është përmbajtja e tyre që më pak se pavarësia formale e Kosovës dhe përbrenda Rezolutës 1244. Pra, në pajtimet me Serbinë shteti i Kosovës nuk ka ecje para drejt shtetësisë dhe sovranitetit, por ka kthim prapa tek Rezoluta 1244.

Mostransparenca totale e këtyre negociatave nuk është tjetër veçse veprimi i kuptueshëm i fshehjes së përmbajtjeve të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Po të kishin qenë këto negociata fort të dobishme për Kosovën, Qeveria do të na kishte bombarduar me transparencë.

Por pikërisht për shkak se kemi të bëjmë me përmbajtje negative, Qeveria ka qenë kaq e mbyllur për qytetarë dhe gazetarë.

Hashim Thaçi tash e tutje mund të udhëtojë në Bruksel vetëm kur është në pyetje Beogradi. Afërsia e tij me Brukselin është e kushtëzuar me afërsinë e tij ndaj Beogradit.

E, një njeri që i jep të gjitha për pushtet, sikur puna e Kryeministrit, do t’i thellojë marrëdhëniet me Brukselin vetëm në këtë mënyrë.

Një darkë e Thaçit në Bruksel po na kushton 3 marrëveshje të dëmshme me Beogradin.

Në këto negociata delegacioni i Kosovës ka pasë për qëllim që ta krijojë një imazh të paqenë dhe të gënjeshtërt të Serbisë – imazhin e një Serbie fqinjësore, miqësore, evropiane, demokratike, joproblematike etj.

Kurse, në të vërtet, Serbia ndaj Kosovës është armiqësore dhe agresive, e cila nuk na njeh dhe e cila na mban të ndarë, e cila nuk ka kërkuar falje për krimet, e cila nuk na ka zhdëmtuar për shkatërrimet, e cila luan me fatin e të pagjeturve dhe e cila i keqtrajton shqiptarët në Luginë.

Kjo është Serbia e vërtetë, dhe jo Serbia e grimosur nëpërmjet negociatave me Qeverinë e Kosovës.

Këto negociata mund të definohen fare thjesht: Kosova nuk po e merr atë që i takon, kurse Serbia po e merr atë që nuk i takon.

Dhe këtu nuk është halli pse Serbia po sillet kështu.

Tek e fundit ne si shqiptarë e njohim moti projektin serb për tokat shqiptare.

Shqetësimi i vërtetë është ky – se si disa politikanë shqiptarë po i përgjigjen me aq zell agjendës së Serbisë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! këto marrëveshje nuk i konsideron të Kosovës, por të Hashim Thaçit dhe qeverisë së tij. Është e papranueshme që një kryeministër të marrë vendim për sistem paralel të targave i cili është hap drejt formalizimit të një entiteti të veçantë serb brenda Kosovës. Poashtu edhe heqja e fjalës “republikë” nga vulat e doganave nuk mund të jetë vendim që e merr një kryeministër, i cili për më tepër është kryeministër i pakicës elektorale.

a.b/NOA

KOMENTE