English

“Mjeshtri i sportit”, Kozma Nasto: Shahut do t’i kushtoja edhe një rini tjetër

Tiranë, 7 korrik, NOA - “Tri damat” është libri me kujtime që “Mjeshtri i sportit” të Shahut Kozma Nasto, sjell për lexuesit e gjerë, një botim i shtëpisë “ADA” në kryeqytet. Duke ecur në faqet e këtij libri do të ndeshësh jo vetëm me botën e kujtimeve, të emocioneve të pjesëmarrjeve në kampionate të shahut, por edhe me materiale dedikuar këtij sporti. Janë një shumësi skemash në çaste të veçanta të ndeshjeve të realizuara në vite...

Z. Nasto, pse e keni titulluar librin "Tri Damat"?

- Në jetën time kam pasur gjithmonë pranë tri dama: Damën e shahut, që personifikon pasionin e madh për këtë lojë brilante; Damën e jetës, që njehsohet me dashurinë e pafund që mbledh brenda vetes çdo njeri për gjysmën tjetër të tij dhe Damën e kartave, që simbolizon për mua lojën e mrekullueshme të pokerit.

Një dedikim për vajzën tuaj, e cila u bë shtysë për botimin e këtij libri. Nuk kishit menduar se një ditë do të ndodhte botimi i këtij libri?

- Vajza ime, Enkeleida, është marrë vetë shumë me librat. Ajo ka përkthyer dhe vazhdon të përkthejë nga anglishtja një sërë librash politikë. Kur e fillova librin, që në rreshtat e parë, ajo m'u përkushtua e, kur stepesha, duke humbur kohën, më qëndroi si guri në këpucë derisa arrita ta përfundoj. Tani që librin e shoh të botuar, më duket një çudi tepër e këndshme.

Si u gjendët përpara kutisë së shahut?

- Isha njëmbëdhjetë vjeç kur daja solli në shtëpi një kuti shahu. Mësova shpejt të luaj dhe nuk iu ndava gjithë jetën. Kalkulimet e sakta në lojën e shahut janë vepra arti, që të falin një ndjesi të veçantë, kur arrin t'i realizosh.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me shahun?

- Për një shahist, shahu është si foshnja për nënën e saj.

Në këtë kuptim, dua të shtoj që për shumë vite me radhë unë kam ruajtur një raport dashurie me këtë lojë. Jam përkujdesur që këto raporte të ishin sa më të bukura, t’i jepja dhe të më falte sa më shumë dashuri. Dhe të tilla kanë mbetur deri në këto çaste që bashkëbisedojmë bashkë.

Më e lehtë për të falur një mbretëreshë, për të ruajtur një mbret?

- Mbretin e ruan gjithnjë. Është postulati i lojës së shahut. Një mbretëreshë e falur me sukses ndodh rrallë dhe ka bukurinë brenda vetes.

Në parathënien e librit shkëpusim: "Është jeta e dikujt që deshi të shkruante si Cvajgu, por nuk e lanë, se lumit të jetës, rrjedhën ia drejtonte partia". Çfarë ka ndodhur me ju?

- E kam shpjeguar edhe në libër. Kisha brumë në magje dhe ndoshta mund të bëja bukë të mirë. Kjo ishte arsyeja që, kur mbarova maturën, e hodha vetëm për letërsi. Kur më doli për inxhinieri, çova nënën tek kryetari i komitetit, meqë e njihte. Përgjigjja e tij ishte në formën e pyetjes: "Pse, cilët do vëmë ne të ndërtojnë Shqipërinë, djemtë e reaksionarëve"?!

Cilat janë figurat e shahistëve që z. Nasto jo vetëm admironte, por edhe pëlqente t'i ndiqte në rrugën e tij të këtij sporti?

- Është e logjikshme që edhe në një sport të tillë nuk mund të mos biesh pre’ e pëlqimit dhe përpjekjes për të ndjekur rrugën e dikujt që është brilante. Duke më kërkuar të bëj një përzgjedhje emrash i sigurt do të veçoja dy të tillë.

Të dy moshave të ndryshme. Nga të vjetrit Esat Durakun dhe Fatos Muçon nga brezi im.

Si e vlerësoni situatën e sotme të sportit të shahut, krahasuar me vitet e mëparshme?

- Tani shahistët kanë një mundësi të artë për të luajtur nëpër turne ndërkombëtarë, gjë e cila ne na ka munguar. Po të ishim të barabartë, brezin tonë do ta quaja më të talentuar. Por faktin që sot kemi një mjeshtër të madh ndërkombëtar, si Erald Dervishi, që "bën ligjin" nëpër turne, e vlerësoj mjaft pozitiv dhe premtues për të ardhmen.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me shahun në ditët e sotme?

- Do të them diçka që tashmë nuk është e parealizueshme edhe për moshën tonë. Edhe ne më të moshuarit i jemi bërë mik internetit. Komunikojmë përmes tij. Në këtë jetë që sa vjen edhe bëhet me e sofistikuar edhe në pikëpamjen e teknologjisë së komunikimit edhe brezi ynë është pjesë e tij. Kështu që nuk kemi shpëtuar nga mospërdorimi i mundësive që servir interneti. Interneti ofron argëtim edhe për ne të apasionuarit e shahut. Në këtë kuptim tani luaj vetëm në internet dhe kjo më duket një pleqëri e këndshme shahistike.

Duke kaluar ndër vite, cilën ndeshje do ta cilësonit si më të veçantën në jetën tuaj sportive dhe që do të donit ta përsërisnit sërish?

- Në jetën time shahistike ka patur çaste të veçanta të cilat kanë qenë të mbushura me emocione. Ka patur ndeshje të cilat edhe pse kanë kaluar vite më duket se i luaj ende dhe sot. Sa herë që gjendem përpara një kuti shahu filloj dhe kujtoj pjesëza nga ndeshjet e realizuar. Por mes këtyre qindra e qindra ndeshjeve do të veçoja njërën. Ndeshjen me Adhamin në "Turneun e më të fortëve" në vitin 1972. Ajo për mua mbetet ndër më të bukurat dhe me kënaqësinë më të madhe do të doja të përsëritej edhe tani pas gati dyzetë vjetëve.

E trashëgoi ndonjë nga fëmijët tuaj pasionin për shahun?

- Edhe djali edhe vajza luajtën nëpër kampionate. Madje Enkeleida, në moshën dymbëdhjetë vjeçare, ka dalë kampione kombëtare si ekip, me të rriturat. Por "lufta" për notat dhjeta, me të cilat lidhej universiteti dhe jeta e tyre, i ndau shpejt nga shahu.

E vërtetë që shahut do t'i kushtonit edhe një rini tjetër po të kishit?

- Po të kishte, me siguri do më shikonit pranë skakierës.

Edhe një pyetje të fundit: A jeni një zbatues i rregullave të shahut dhe në jetën tuaj të përditshme?

- Jeta ka rregulla të tjera, por strategjia është e njëjtë. Që të fitosh një jetë të mirë, duhet të përpiqesh dhe ta vrasësh mendje shumë.

Kush është Kozma Nasto?

I lindur në Lushnjëgusht të vitit 1949, me një dashuri të fortë që fëmijë për shahun, Kozma Nasto do të merrte pjesë për herë të parë në një kampionat në fazën e finaleve të Kampionatit Kombëtar të të Rinjve në vitin 1965.

Ndërsa gara e fundit e tij do të mbetej ajo e finaleve të Kampionatit Kombëtar të vitit 1989.

Në këtë hark kohor prej më shumë se dy dekadash, Nasto, do të zotëronte titullin e kampionit kombëtar me ekipin e “Lokomotivës” në vitet 1975, 1980, 1981, 1982, dhe 1985. Në vend, shahisti Kozma Nasto do të cilësohej për shumë vite si një lojtar sa i denjë, por edhe i vështirë për t’u përballuar. Por emri i tij si shahist do të lexohej edhe në përfaqësimet jashtë vendit. Ai do të ishte anëtar i ekipit kombëtar në Olimpiadën Botërore të Luzzernës në Zvicër në vitin 1982, në Ballkaniadën e Plovdivit e mbajtur në Bullgari më vitin 1982 dhe në atë të Shkupit në vitin 1984. Në vitin 1982, shahisti Kozma Nasto, do të nderohej me titullin “Mjeshtër sporti”.

Intervistoi: Odise Plaku

KOMENTE