Nga Ridvan Bode
Rishikimi i buxhetit në fund të 6 mujorit, tashmë bën një praktikë disavjecare të qeverisjes, dhe përbën një praktikë të mirë që garanton më tej standardet ekzekutimit të financave publike me praktikat më të mira europiane. Nevoja për të rishikuar në mënyrë periodike dhe sidomos për të ndërhyrë dhe përshtatur zhvillimet në ekonomi me ato të programuara për financat publike tashmë është bërë imediate edhe për shkak të zhvillimeve në ekonominë globale dhe për shkak të krizës që po përjetojnë qeveritë e vendeve të ndryshme, të njohur si krizë të borxheve publike të vendeve të tyre.
Zhvillimet sigurisht që kanë një dinamikë më të veçantë, në periudhën postkrizë. Pritshmëritë kanë qenë më të lartë nga sa po vërtetohet praktikisht dhe po ndërtohet hipoteza se bota ekonomike e periudhës së pas krizës, edhe pse po deklarohet e dalë nga kriza, edhe pse në rritje ekonomike, nuk do jetë më si ajo e para periudhës së krizës. Strukturime të ndryshme po bëhen, në tregjet e ekonomisë reale, praktika të reja dhe masa më të forta po përdoren në tregun monetar, në sistemin financiar të vendeve të ndryshme në tërësinë e ekonomisë globale.
Në këtë kuadër edhe rishikimi që ne i bëjmë i buxhetit të vitit 2011 synon së pari të përshtatë zhvillimet në financat publike, me atë ç’ka ndodhi dhe u përjetua në ekonominë reale në periudhën e 6 mujorit parë të vitit dhe së dyti për të reflektuar një sërë masash dhe reformash të ndërmarra nga ana e qeverisë, në fushën e financave publike por edhe në shumë sektorë te ekonomisë reale apo asaj financiare.
Për të kuptuar thelbin e operacioneve të ndërmarra në buxhetin e vitit 2011, dëshiroj që shkurtimisht të bëj një përshkrim të situatës makroekonomike, të bazamentit mbi të cilin ngrihet ekonomia shqiptare përgjatë vitit 2010.
Duhet thënë se ekonomia shqiptare, vlerësohet si ekonomia me ecurinë më pozitive përgjatë periudhës së krizës. Ajo nuk ra në recension ekonomik, duke mbetur ndër të vetmet ekonomi në rajon dhe më gjerë, që nuk e provuan recension ekonomik por që ulën ritmet e zhvillimit, si shkak i presionit të krizës ekonomike globale dhe zhvillimeve në tregjet financiare.
Viti 2010 u mbyll me një rritje ekonomike prej rreth 4 %, që përbën dhe rritjen më të madhe në rajon. Zhvillimet përgjatë vitit 2010 ishin tërësisht pozitive. Rritja ekonomike u mbështet nga një rritje e gjerë e vëllimit të eksporteve të produkteve shqiptare, duke bërë të mundur që nga viti 2010 rritja të bazohet në rritjen e eksporteve dhe duke mbajtur në terma pozitiv, të moderuar, kërkesën për prodhim.
Gjatë vitit 2010, ne patëm zhvillime pozitive edhe në sistemin financiar, i cili riktheu besimin. Pati një rritje të vëllimit të depozitave me rreth 19 % dhe rritje të nivelit të kredive me 10 %, të cilat shërbyen si mbështetës për të krijuar dhe për të rihyrë në fazën e vlerësimeve të ekonomisë shqiptare, për të vlerësuar kërkesën e brendshme dhe atë konsumatore. Zhvillime të tjera kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në ekonomitë e rajonit, por edhe në ekonominë shqiptare. Nevoja për ristrukturim i një sërë aktivitetesh ekonomike, i një sërë kompanish private janë të tashmë të njohura. Ato ndodhen ën fazën e rialokimit të burimeve të tyre financiare dhe njerëzore. Ndodhen në fazën e raportimit të kapaciteteve të tyre, në përputhje me zhvillimet që kanë tregjet në rajon e më gjerë. Të gjitha këto zhvillime nuk kanë se sit të mos conin në një devijim nga pritshmëria jonë për vitin 2011, pritshmëri e cila ishte të bazuar në skenarë optimistë që ofroi Europa dhe institucionet financiare ndërkombëtare në vjeshtën e vitit 2010.
Nga pritshmëritë e asaj kohe, vërehet një devijim i madh në ekonominë e eurozonës, por edhe në ekonominë e vendeve të rajonit, me të cilat ekonomia shqiptare ka lidhjet më intensive dhe zhvillimet më të gjera tregtare dhe financiare.
Zhvillimet për gjatë vitit 2011, po ashtu vërehen të jenë pozitive. Kemi tashmë të konfirmuar rritjen ekonomike për tremujorin e parë të këtij viti, e cila është 3.4 % në terma pozitivë,duke përvijuar një rritje më të mirë në dy vitet e fundit dhe një shpresë për t’u rikthyer gradualisht në rritjen tonë normale prej 6 %, por që duket se edhe për këtë vit nuk do jetë e mundur.
Ne kemi të dhëna pozitive për sa i takon rritje së kërkesës konsumatore, sidomos të asaj prodhuese. Pasurimi i importeve, të të mirave kapitale është mbi 30 % për 6 mujorin e parë të këtij viti, pra dëshmon se jemi në fazën e kryerjes së investimeve të konsiderueshme në ekonominë reale.
Të dhënat nga sistemi bankar dhe financiar dëshmojnë për një përshpejtim dhe intensifikim të mëtejshëm të kreditimit të ekonomisë reale. Dhe gjithë rritja prej rreth 40 % e vërejtur për 5 muajt e parë të vitit, e kredisë për ekonominë është një rritje e kreditimit për investime në sektorin privat
Stabiliteti i kursit të këmbimit të lekut në raport me valutat e huaja përbën dëshminë më të qartë të vitalitetit që ka ekonomia shqiptare përgjatë kësaj periudhe. Një mbivlerësim në raport me euron dhe deri diku me dollarin dëshmon konjukturat e përkohshme të këtyre monedhave në raport me vendet e tyre por jo dobësim të lekut për shkaqe inflacioniste. Sidoqoftë gjashtëmujori i parë i këtij viti ka dëshmuar inflacion më të rritur, nga sa ishte pritshmëria dhe kjo i dedikohet para së gjithash, rritjes së çmimeve, presioneve inflacioniste që vijnë nga tregu global e që kanë të bëjnë me rritjen e çmimeve të ushqimeve por edhe të makinerive apo të mirave kapitale që importohen. Gjithsesi Banka e Shqipërisë, përmes analizave të saj garanton se inflacioni do mbetet brenda objektivave 3% +/- 1 pikë, të vendosur nga Kuvendi i Shqipërisë dhe do të jenë dukshëm më të ulëra nga presionet inflacioniste që përcaktojnë rritje cmimesh në ekonomitë e vendeve të tjera të rajonit.
Tregu i punës ka njohur zhvillime pozitive. Niveli i punësimit po rritet. Përgjatë vitit 2010, ndryshe nga sa ndodhi në ekonomitë e vendeve të rajonit, u punësuan rreth 16 mijë persona, duke ulur nivelin e papunësisë në 13.5 % në fund të vitit 2010. Tremujori i parë i vitit 2010 flet gjithashtu për një dinamikë pozitive në tregun e punës. Rreth 3500 persona të rinj janë punësuar krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010 dhe norma e papunësisë arriti në 13.43.
Këto zhvillime pozitive na bëjnë optimistë, për të mbështetur skenarin e një ekonomie me rritje pozitive dhe me një pritshmëri që do të cojë në rritjen e të ardhurave të buxhetit dhe rritjen e buxhetit në tërësi për gjatë vitit 2011.
Sidoqoftë, zhvillimet në ekonominë rajonale dhe atë globale, përgjysmimi i pritshmërisë së rritjes së tyre për ekonomitë e vendeve të rajonit tonë, na bën që të jemi më realistë në versionin tonë dhe të shpresojmë që në fund të vitit 2011, të mundësojmë një rritje ekonomike rreth 5 % ç’ka do ishte përsëri më e larta në rajon dhe nivel evropian.
Në përputhje me zhvillimet në ekonominë e vendit dhe trendin e zhvillimeve të saj në gjashtëmujorin e parë, edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit kanë reflektuar një nivel më të ulët nga sa ne kemi programuar në vjeshtën e vitit të kaluar, me rreth 5 % si gjashtëmujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe që arritën nivelin më të lartë historik të të hyrave në buxhet, por të pamjaftueshme për të financuar aktivitetet e programuara në mënyrë optimiste në fund të vitit 2010.
Prandaj vijmë sot me një projekt ndryshimesh, i cili konsiston në uljen vëllimit të shpenzimeve të programuara dhe afrimin e të ardhurave në përputhje me këtë projektligj. Idetë janë të ndryshme. Ka kërkesa dhe sugjerime, se pavarësisht nga vëllimi i realizimit të të ardhurave, shpenzimet të vijojnë të kryhen sipas programit, pasi do të ishte një mbështetje për kërkesën e brendshme konsumatore, prodhuese dhe familjare, dhe se ky deficit nuk implikon angazhime të buxhetit të shtetit në tregjet rajonale, të cilat ndodhen në një periudhë destabilizimi dhe rritje të kostove në mënyrë progresive.
Ne mendojmë se duhet ecur në mënyrë të matur dhe të kujdesshme. Ne mendojmë se rritet besueshmëria e ekonomisë shqiptare dhe reformave të ndërmarra nga qeveria, nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një politike më të matur. Ne duhet t’i përmbahemi parimit të prosperitetit financiar që ndërmorëm vitin e kaluar, dhe duhet që konsolidimi financiar të jetë objektivi thelbësor i masave dhe reformave të ndërmarra, dhe i praktikave tona në menaxhimin e financave publike. Jo sepse një deficit i rritur, një borxh më i rritur do të importonte kosto në buxhetin e shtetit, por sepse ndjeshmëria e opinionit ndërkombëtar, i botës së biznesit anembanë hapsirës europiane, është i tillë që vlerësohen më shumë masat energjike që ndërmorën qeveritë respektive në përmbushjen e objektivave për të stabilizuar rritjen e mëtejshme të borxheve publik të vendeve.
Në këtë kuadër, ne vijmë me një paketë propozimesh që reflektojnë nevojën për konsolidim të mëtejshëm financiar të vendit, të buxhetit në rradhë të parë, dhe për mundësi më të mëdha për t’i garantuar hapësira më të gjëra ekonomisë private dhe biznesit. Mosrealizimi i të ardhurave nuk reflekton vetëm ngadalësimin e rritjes ekonomike të vendit. Jo. Ai reflekton edhe atë proces të domosdoshëm në ët cilin është përfshrië ekonomia shqiptare për ristrukturimin e tregjeve. Mjafton të përmendim se në tremujorin e parë të këtij viti të dhënat për rritjen ekonomike, shënojnë një trend tërësisht pozitiv në sektorët kyc të ekonomisë, flasin dhe për një ngadalëzim, një rënie të sektorëve të shërbimeve dhe të telekomunikacioneve. Dhe kjo është e kuptueshme, pasi në sektorin e shërbimeve, sistemi financiar, tregu bankar, shërbimet bankare përbëjnë pjesën më të madhe dhe japin impaktin më të drejtëpërdrejtë në uljen e kontributit të tyre,. Rritja e kostove për shkak të 5ritjes së nivelit të kredive të këqija, apo përpjekjet për të adoptuar politika më të ashpra në kushtet aktuale të zhvillimit të tregut financiar të vendit, bëjnë që të ardhurat të vijnë më në ulje, kontributi i tyre të vijë më në ulje. E njëjta gjë ndodh edhe me tregun e telekomunikacioneve dhe këtu për dy motive: së pari për vetë faktin e uljes së vazhdueshme të tarifave, të kostove, të çmimeve të shërbimit që ata bëjnë për qytetarët, që do të thotë një vëllim qarkullimi në vlerë më i ulët, dhe një vëllim qarkullimi në natyrë më i madh dhe nga kjo një rritje ekonomike më e ulët, dhe një kontribut më i ulët ose negativ në buxhetin e shtetit në taksa e tatime. Dhe së dyti për faktin se në këtë treg po zhvillohen tashmë investime nga dy kompani të reja private, të cilat operojnë rreth 30% – 40 % të këtij tregu, e të cilat vijojnë të mos jenë kontributore në tatime e taksa, por të ndodhen në fazën e kryerjes së investimeve për funksionimin e tyre. Pra zhvillimet strukturore të brendshme, janë ato që ngadalësojnë në një farë mase ritmin e të ardhurave ne buxhetin e shtetit.
Në këtë kuadër, ne propozojmë ndryshime, të cilat bazohen në një rivlerësim të kuadrit makroekonomik dhe fiskal jo vetëm për këtë vit, por edhe për gjithë periudhën 2011-2014. Bazohen në një analizë të përdorimit të fondeve publike, në pesëmujorin e parë, duke mundësuar shpërndarje dhe rishpërndarje, përshtatje dhe shkurtime, të cilat nuk prekin aktivitetin thelbësor dhe nuk japin efekte negative mbi ekononinë reale. Bazohen në marrjen në konsideratë të reformave të ndërmarra nga ana e qeverisë, për administrimin ekonomik, eficencën e përdorimit të fondeve buxhetore në një sërë sektorësh por në vetvete brenda aktiviteteve që kryen qeveria.
Buxheti i rishikuar synon edhe një herë të mbajë si objektiv të pacenuar një deficit buxhetor që të mos jetë më i madh se 3.5 të PBB-së, një borxh publik i cili të mos kalojë nivelin prej 60 % të tij, edhe pse rritja e kohëve të fundit është konvencionale që vjen nga kursi i këmbimit apo nga zgjidhja e borxheve me vendet ish komuniste, apo detyrimet që ka pasur shteti shqiptar para viteve ’90 që përbën dhe rreth 2 pikë përqindje të PBB-së . Synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe krijimin e mundësive dhe kushteve më të mira për ekonominë reale për t’u financuar nga tregjet financiare të brendshme, nga raportet me administratën fiskale. Synon të mbajë të paprekur ose të preken në minimum, ato që janë shpallur si prioritete të qeverisë dhe në mënyrë të veçantë, të vijojë rritjen e pagave dhe pensioneve, masë e cila është deklaruar nga qeveria dhe po fillon zbatimi në parametrat pozitivë, në raport me inflacionin. Kjo do të thotë që të kemi një rritje reale pozitive të kërkesës konsumatore familjare, përgjatë 6 mujorit të dytë të vitit 2011.
Në këtë kuadër pra, ne mendojmë se vëllimi i të ardhurave ne buxhetin e shtetit të arrijnë nivelin e 343.8 miliard lekë, duke ulur me 18. 3 miliardë vëllimin total të tyre, por që gjithsesi do të kenë një rritje me rreth 6 % më shumë krahasuar me realizimin e vitit 2010. Në mënyrë të veçantë, të ardhurat nga tatimet dhe doganat do të jenë rreth 9 % më të larta. Ndërsa ulja reflekton zërin e të ardhurave operacionale të vitit 2010, që kanë ardhur nga aktivitete që ndodhin njëherë dhe që nuk janë të qëndrueshme. Një rritje 8 % të ardhura nga fondet sociale, kontributet e ISSH-së dhe ISKSH-së dhe një reduktim të të të ardhurave nga pushteti vendor, për shkak të mosrealizimit të të ardhurave por edhe për shkaqe të tjera që lidhen me funksionimin e tij në këtë vit politik.
Shpenzimet e buxhetit do të jenë sa 29.6 % të PBB –së duke mbetur dukshëm në një nivel optimal dhe në objektivin e shpallur nga qeveria në programin e saj, për të mbetur në 30 % në kuadrin e qeverisë së vogël, të mirë dhe eficente. Do të ketë shkurtime në shpenzimet operative në masën 4.6 miliardë lekë dhe shkurtime të tjera
Në tërësi shpenzimet e buxhetit të shtetit do të shkurtohen në masën 4.5 % në krahasim me programin e tyre, që do të thotë se nuk është një shkurtim që do të ndikonte në ekonominë reale dhe as në funksionimin normal të administratës publike, të shërbimeve, projekteve dhe investimeve që ka ndërmarrë qeveria, pasi e dimë që në vitet e shkuara buxheti nuk realizohej i plotë por gjithnjë nën masën 90 %. Rritja e kapaciteteve për të ekzekutuar projektet dhe projektet nga ana e administratës publike dhe institucionet përdoruese të buxhetit na bën që të jemi të kujdesshëm dhe të ndërhyjmë në kohën e duhur.