English

Në vigjilje të pushimeve, Kuvendi shqyrton Buxhetin e rishikuar

Tiranë, 7 korrik 2011, NOA – Miratimi në parim i buxhetit të rishikuar të këtij viti do të jetë një nga pikat kryesore të diskutimit në seancën e sotme plenare të Kuvendit, një nga seancat përmbyllëse të këtij sezoni, në vigjilje të pushimeve të verës, seancë e cila pritet të bojkotohet rishtas nga opozita.

Kuvendi pritet ta miratojë në parim projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr.10355, datë 2.12.2010, për buxhetin e vitit 2011.

Gjatë seancës është lajmëruar se do të flasë për buxhetin e rishikuar kryeministri Sali Berisha, ministri i Financave Ridvan Bode që ka propozuar shkurtimet në buxhet, si dhe deputetët.

Sipas Bodes, në buxhetin e vitit 2011 do të ulen shpenzimet operative në administratë me 18.3 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat do të ulen me 14 miliardë lekë.

Shkurtimet në buxhetin e vitit bëhen sipas ministrit Bode, për të mbajtur nën kontroll defiçitin buxhetor dhe borxhin publik në shifrën aktuale prej 59 përqind.

Sipas ministrit Bode në buxhetin suplementar nuk do të preken investimet publike, por vetëm shpenzimet në administratë.

Buxheti i rishikuar do të rikthehet më pas për t'u miratuar nen për nen në Komisionin e Ekonomisë.

Gjatë seancës pritet të miratohet edhe projektligji për formulën e privatizimit të INSIGUT, do të shqyrtohet projektligji për rregjistrimin e popullsisë i debatuar dhe kundërshtuar nga Aleanca Kuq e Zi dhe nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu.

mit/NOA

KOMENTE