English

Pollo: Ligji i shërben modernizimit të bazës ligjore për zhvillimin e censusit në vend

Tiranë, 7 korrik 2011, NOA- Ministri për Inovacionin Teknologjinë Informacionin dhe Komunikimin Genc Pollo, pak para miratimit të ligjit për Censusin 2011, tha se projektligji është arritur me kompromis midis palëve.

Në vijim Pollo tha se, projektligji i paraqitur i shërben modernizimit të bazës ligjore për zhvillimin e censusit në Shqipëri.

Sipas një njoftimi të MITIK, ky projektligj i votuar në Kuvend do të bëjë të mundur që censusi i vjeshtës të jetë cilësor, i besueshëm, i vlefshëm dhe krejt i krahasueshëm me të ngjashmit e tij, me censuset e mbajtura në vendet e BE-së.

“Shpreh keqardhje, për denigrimin veresie që i bënë këtij projektligji zyrtarë, të cilët Kuvendi, përfshi edhe mua, i ka votuar pak vite më parë dhe qysh atëherë ne rrimë e vështrojmë se si ata degradojnë ofiqin e tyre, madje nuk u mjafton as kjo por tentojnë ndotjen edhe në çështjet e të tjerëve. Por gjërat me kohë do të ecin në rrjedhën e tyre e problemet do të ndreqen”, u shpreh Pollo.

Theksohet se ndër amendamentet e miratuara sot në ligj vlen për tu përmendur përshtatja e terminologjisë, duke zëvendësuar termin “regjistrim” me fjalën “census”, për t’i dhënë procesit një identitet të unifikuar, në përputhje me fjalorin e gjuhës shqipe.

Një element tjetër i rëndësishëm, që u amendua, ishte shfuqizimi i pikës 3 të nenit 1, të ligjit të vitit 2000. Nëpërmjet këtij ndryshimi synohet të theksohet fakti se të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për hartimin e listave zgjedhore si dhe për pasurimin e regjistrave të gjendjes civile.

Në vijim thuhet se projektligji riformulon gjithashtu konceptin për detyrimin ligjor të individëve për t'u përgjigjur, të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët në momentin e censusit ndodhen në territorin e Shqipërisë, janë të detyruar të japin në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme informacionin e përcaktuar si të detyrueshëm në pyetësorët e censusit të popullsisë, të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit.

Në vijim neni i ndryshuar përcakton se: “Mosdhënia e informacionit (a) në formë të plotë dhe/ose (b) të saktë dhe të besueshme, të përcaktuar si i detyrueshëm, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji dhe personi/at përgjegjës dënohet me gjobë prej 100 000 lekësh; Mosrespektimi i rregullave të konfidencialitetit të përcaktuara në nenin 9, të këtij ligji dhe personi/at përgjegjës dënohen me një gjobë prej10 000 deri 50 000 lekë; Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në nenin 19, të këtij ligji dhe personi/at përgjegjës dënohen me gjobë nga 15 000 deri 20 000 lekë.

a.y/NOA

KOMENTE