English

Xhamia e madhe në Prishtinë, ndalet falja e namazit në shesh

Prishtinë, 7 korrik 2011, NOA – Shkrimet e të përditshmeve amerikane duket se kanë ndikuar në ndërprerjen e protestave të besimtarëve muslimanë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Besimtarët muslimanë e kanë nisur protestën pasi ata kërkojnë ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë.

Koha Ditore njoftoi se organizatori i tri protestave të mëparshme zhvilluara tri të premte me radhë deklaroi se protestat do të ndërpriten.

Organizata Bashkohu bëri me dije se kryesia vendosi që këtë të premte të mos falet namazi në sheshin “Adem Jashari”, siç ndodhi tri javët e shkuara.

“Lëvizja “Bashkohu” e mori vendimin duke u bazuar në premtimin e dhënë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës përmes komunikatës të lëshuar me datën 30.06.2011 dhe bisedimeve paraprake të përfaqësuesve të lëvizjes “Bashkohu” me zyrtarë komunalë”, thuhet në deklaratën e organizatës myslimane.

Sipas saj hapësira për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës dhe hapësira për qendrën Islame do të sigurohet brenda një afati optimal, aq sa nevojitet për kryerjen e procedurave të parashikuara.

Përfaqësuesit e lëvizjes “Bashkohu” janë takuar edhe me myftiun e Kosovës Naim Tërrnava, i cili ka marrë përgjegjësinë për sigurimin e hapësirës për një xhami në qendër të Prishtinës dhe qendrës Islame po ashtu në Prishtinë.

Ndërprerja e protestës vjen pikërisht pas shkrimeve në shtypin amerikan, ku thuhej se pamje të tilla që vijnë nga Kosova, ku namazi falet në mes të sheshit të Prishtinës vënë në pikëpyetje përkushtimin e proklamuar gjithandej për Kosovën, si aleate dhe mike e SHBA-ve, shkruajnë disa artikuj të shtypit amerikan.

Më tej të përditshmet amerikane shkruanin se “protestat e besimtarëve muslimanë në Prishtinë me flamuj të Hamasit dhe veshje jo karakteristike për shqiptarë dhe evropianë, kanë kërkuar ndërtimin e një xhamie të madhe përballë Katedrales katolike”.

mit/NOA

KOMENTE