Prishtinë, 7 korrik 2011, NOA – Zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden mirëpriti nënshkrimin e tri marrëveshjeve të para mes Kosovës dhe Serbisë javën e shkuar në Bruksel.
Zëvendëspresidenti Bajden zhvilloi dje një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.
Zoti Bajden përshëndeti arritjen e marrëveshjeve të 2 korrikut në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar nevojën për përparim të mëtejshëm në çështje që sjellin përfitime praktike për qytetarët e të dyja vendeve.
Zyra e shtypit e zëvendëspresidentit Bajden njoftoi se ai kishte përgëzuar zonjën Jahjaga për zgjedhjen si Presidente e Kosovës, duke theksuar se kishte mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakthyeshme të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës si një demokraci shumetnike.
Zëvendëspresidenti amerikan dhe Presidentja Jahjaga diskutuan gjithashtu mbi përpjekjet e Kosovës për të luftuar korrupsionin, për të forcuar shtetin ligjor dhe për të vazhduar reformat e brendshme në Kosovë, si hapa themelore për tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
mit/NOA