Milano, 8 korrik, NOA - Anila Rubiku, është një artiste shqiptare që jeton e punon mes Milanos dhe Tiranës. Ajo prezantoi së fundmi një instalim interesant në Bienalen e Venecias, në pavionin e Shqipërisë, me titullin "Vende të tjera, shtetësi të tjera". Me përzierjen e teknikave të ndryshme dhe ndërmarrjen e çdo projekti të komunitetit, ajo e kthen vëmendjen e saj në problemet e grave në Shqipëri dhe Itali, identitetin e emigrantëve, rolet gjinore në shoqëritë në të cilat ata jetojnë. Instalimi i saj në Venecia reflekton mbi emigrantët, të cilët ndodhen në ‘betejë’ mes trashëgimisë së vendit të tyre të origjinës dhe shtetit të ri...
Znj. Rubiku, cilat janë çështjet që dëshironi të trajtoni me punën tuaj?
- Shumica e punës sime është e lidhur me udhëtimin, strehimin dhe gratë. Kjo e fundit në veçanti është një çështje shumë e dashur për mua, sepse ne, në Shqipëri, nuk kemi pasur një revolucion seksual apo emancipimi të grave, siç ka ndodhur në Evropën Perëndimore. Gratë e brezit tim kanë vuajtur shumë në të tilla kushte. Ndër të tjera, situata më është rënduar edhe duke jetuar si një grua shqiptare në Itali, duke u konsideruar mundësisht si një prostitutë, siç e do stereotipi. Kam punuar me gra, por më pak me ato që kam kërkuar, gratë shqiptare. Në Izrael kam punuar me një grup të grave nga Etiopia. Nga ana tjetër, në Durrës, kam bërë një projekt me 100 shami mëndafshi, qëndisur me emrat e 100 grave që kanë kontribuar në progresin e njerëzimit në sektorë të ndryshëm. Gjithkush ka të drejtë të qëndisë emrin dhe t’i lexohet historia. Kështu stimulohet një lloj arsimi, emancipimi, në një mënyrë të bukur, pa u mërzitur me studime të detyruara.
Cilat janë emrat e grave të qëndisura mbi shami? - Ata nuk e kishin idenë përshembull se kush ishte Mari Kyri, nuk njihnin gratë e rëndësishme në histori që kanë lënë gjurmë në të gjitha fushat, nga literatura, te të drejtat e njeriut, shkenca, sportet, artet, muzika etj. Për të gjetur se kush ishin më të rëndësishmet dhe më të lehta për t’u interpretuar për to, kam bërë një kërkim rreth 2 vjet. Atëherë unë kisha ngritur instalimin në një galeri.
E mbusha dyshemenë me fasule, i cili ishte ushqimi kryesor i shqiptarëve të varfër në vitet ‘80.
Disa gra ishin habitur, duke thënë "Por ju si vutë ushqim përdhe’?".
Qëllimi im ishte t'i bëja të kuptonin se këto gra, të vetme nuk kishin vlerë, ashtu si një fasule është e padobishme vetëm, por nëse të mbushet dyshemeja, bëhet një masë e bezdisshme, të cilën nuk mund ta shmangësh.
Ka shumë Shqipëri në veprat tuaja, edhe pse jetoni jashtë shtetit për vite me radhë ...
- Po patjetër. Gjej shumë frymëzim në Shqipëri. Në fakt, unë mendoj të kthehem në Shqipëri, për të jetuar atje. Unë mendoj se ka shumë hapësira për të punuar në këtë fushë. Unë do të doja që të punoja në Shqipëri dhe të paraqes punimet e mia jashtë vendit. Prandaj unë e konsideroj veten një artiste e Shqipërisë.
Pra, merrni frymëzime në Shqipëri, por doni të qëndroni në një treg jo-shqiptar të artit?
- Po, sepse tregu i artit në Shqipëri është shumë i kufizuar. Nuk ka asnjë lloj koleksionimi. Ka shumë pak hapësira ekspozite, muzesh. Korrupsioni mbretëron kudo, dhe në art, kjo është edhe më e dukshme se tjetërkund. Nuk ka financime. Me çfarë punimi u prezantuat në Bienalen e Venecias?
- Kjo është një vepër me titull "Vende të tjera, shtetësi të tjera". Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit në rregull, me përjashtim të Anri Salas, merren shumë me temat e emigracionit. Veprat e mia nuk kanë dashur të merren me migracionin në vetvete, por me feminizmin, me identitetin. Përpiqesh të asimilohesh në një vend të caktuar. Përfundon duke mohuar identitetin tënd, përfundon të largosh nga vetja, atë që je në të vërtetë.
Kjo së pari ka të bëjë me të gjithë shqiptarët. Kam përshtypjen se shqiptarët nuk e kanë ndjenjën e kombësisë, si kombet e tjerë, ndoshta për shkak se gjatë komunizmit, nacionalizmi ka sjellë edhe varfëri të madhe ekonomike dhe kulturore. Natyrisht kjo është shumë më e fortë në Itali, ndërsa unë kam vënë re, për shembull në SHBA ose në Mbretërinë e Bashkuar, se ka një shoqëri më të hapur dhe më merito-kratike se sa ajo italiane. Nëse ju merrni një aeroplan në gusht për të shkuar në Tiranë, ju po udhëtoni me nëna të reja shqiptare që u flasin italisht fëmijëve të tyre. Unë bëra një kërkim për këtë. Të gjithë shqiptarët që kam takuar, të cilët kanë emigruar në vendet fqinje me Shqipërinë, nuk flasin me fëmijët e tyre në gjuhën tyre, por në gjuhën e vendit pritës, më shpesh edhe kur ata nuk e dinë gjuhën mirë. Duket një dëshirë iracionale që t’i shpëtojnë identitetit të tyre, kombësisë së tyre.
Çfarë nënkuptoni me “kombësi”? - Gjuha është një vlerë, një pasuri. Për mua, kombësia nuk ka të bëjë me nacionalizmin, por është më shumë identiteti kulturor, duke ruajtur atë që keni dhe të shtoni identitetet e tjera mbi ato që keni. Ju nuk mund të urreni atë që u takon juve dhe të hiqni dorë prej saj për t'u bërë diçka që në realitet nuk jeni. Ne duam të jemi si të tjerët, kur bota është plot me të tjerë.
Ky është një problem që ka karakterizuar emigracionin shqiptar më së shumti në vitet '90. A mendoni se ende është prezent?
- Unë mendoj se po. Ky nuk është vetëm një problem të shqiptarëve. Unë mendoj se shqiptarët ndjehen në vendin e vet në një vend që pranon kultura të ndryshme me vështirësi. Fakti që në Itali legjislacioni i emigracionit është i pasigurt dhe ndryshon nga viti në vit, bën pjesën tjetër.
Si ke zgjedhur për ta prezantuar këtë problem?
- Unë qëndisa 60 kapele burrash të një grupi grash që janë në mërgim, të cilat nuk janë italiane, por që jetojnë në Itali. Ne kemi qepur mbi kapele, unë bashkë me to vizatimet e mia dhe rrëfimet. Si i keni gjetur këto gra? - Ka qenë pak kalvar. Kam njohur një komunitet shqiptarësh në Casalmonferrato, krahina e Alessandrias, dhe u kërkova atyre të marrin pjesë në këtë ide. Por gratë shqiptare, që arrita të takoj, në fund të gjitha kërkuan të paguhen për të marrë pjesë në projekt. Nuk ishte kjo ideja e projektit tim. Së fundi, ne gratë shqiptare, mund të ishim të njohura për diçka të bukur: për të paraqitur një projekt arti në Bienalen e Venecias, në Sallën Shqipëri. Të ishim të njohura edhe në kulturën bashkëkohore. Ato thjesht nuk e pranuan. Vetëm disa prej tyre kanë marrë pjesë, kështu që unë kam qenë e detyruar për t’u orientuar drejt grave të tjera, jo shqiptare. Pavarësisht idesë sime fillestare, asaj që të punoja me gratë shqiptare. Në fund, kam menduar se gratë e tjera emigrante kanë problemet e njëjta që kanë shqiptaret. Të gjitha janë gra që të kalojnë në shoqërinë italiane pa u vënë re. Vijnë këtu për të punuar, por sjellin me vete kulturën e tyre, jo vetëm dhimbjen e tyre, apo gjëra negative.
Si ka qenë kjo punë e përfaqësuar në Bienalen e Venecias? - Për të parë instalimin në Venecia, duhet të ecësh në mes kapeleve, dhe të duhet kohë për të gjetur dhe lexuar qëndisjet. Kjo është një punë pak e vështirë dhe keni frikë të shkelni kapelet e tjera. Normalisht, një kapele mbulon një kokë dhe nën një fije floku, ka ide. Instalimi është i përbërë edhe nga një tjetër punë, janë 90 varëse pantallona 90 burrash në mur. Mbi secilën ka një shkronjë dhe të gjitha përbëjnë një frazë: “The person who disowns his own language in order to adopt a different one changes identity and disillusions”.
Varëset shërbejnë për të varur rrobat dhe normalisht rrinë të mbyllura në një dollap. I vë jashtë ato, vetëm kur ke nevojë dhe kjo është e njëjta gjë edhe me emigrantët. Ata janë atje, në dollap dhe të presin për të shkuar dhe të marrësh një të tillë. Se dikush do t’i kujtohet dhe ata mund të jenë të dobishëm për dikë...
Përshtati: n.e/NOA (Marrë nga “Osservatorio Balcani e Caucaso)